E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stërvitja, Kuzhe humbet anën e errët të kampionatit shqiptar

Stërvitja e parë me Kombëtaren kuqezi ka bërë që trajneri Josip Kuzhe të humbasë anën e errët të kampionatit shqiptar. Drejtuesi i ri i stolit të përfaqësueses ka përfituar nga pushimi pas drekës me skuadrën, për t‘u paraqitur në tribunën e stadiumit "Niko Dovana" në ndeshjen Partizani-Kastrioti. Ai ka ndjekur vetëm 45 minutat e para të sfidës "play-out" dhe më pas është detyruar të largohet, për shkak të seancës stërvitore me futbollistët e paraqitur në ditën e parë të grumbullimit. 56-vjeçari ka qëndruar në stadium deri rreth orës 17.15 dhe më pas u largua, sepse 45 minuta më vonë kuqezinjtë duhej të ishin në fushën e Shijakut. Tekniku kroat nuk e ndoqi këtë ndeshje për të vëzhguar ndonjë element të veçantë, pasi asnjë nga futbollistët që zbritën në fushë nuk është në "orbitën" e Kombëtares. Përballja do t‘i shërbente për të krijuar një ide më të qartë rreth kampionatit shqiptar dhe nivelit të skuadrave që konkurrojnë në aktivitet. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme një pjesë e kontingjentit kuqezi është paraqitur në grumbullimin për dy ndeshjet e ardhshme: eliminatoren e 6 qershorit me Portugalinë dhe miqësoren me Gjeorgjinë, që luhet vetëm katër ditë më pas. Përveç nëntë lojtarëve, të cilët aktivizohen në Kategorinë Superiore, ekipit i janë bashkuar edhe disa prej legjionarëve që nuk janë të impenjuar me klubet e tyre. Përveç treshes së Krivbasit, Bulku, Hidi dhe Bylykbashi, të pranishëm ishin edhe Kristi Vangjeli dhe Jahmir Hyka. Për këtë të fundit bëhet fjalë për grumbullimin e parë pas shtatë muajsh, periudhë gjatë të cilës holandezi Ari Han nuk e ka marrë parasysh. "Jam i kënaqur që rikthehem sërish në Kombëtare. Të them të drejtën jam ndjerë gjithmonë pjesë e skuadrës, pavarësisht se në muajt e fundit nuk kam qenë i grumbulluar", tha lojtari i Maincit, që tashmë do të luajë në Bundesligë. "Një tjetër rezultat pozitiv me Portugalinë do ta kompletonte festën time për rikthimin në përfaqësuese dhe ngjitjen e skuadrës në elitën e futbollit gjerman". Sot, stërvitja e Kombëtares do të vazhdojë me dy seanca në ditë, ndërsa deri të hënën grupi pritet të kompletohet plotësisht.

Gjatë ditës së djeshme, Portugalia ka publikuar edhe listën zyrtare, me futbollistët që trajneri Karlos Kueiroz do të ketë në dispozicion për sfidën në "Qemal Stafa". Drejtuesi i stolit luzitan ka përzgjedhur 24 emra, mes të cilëve nuk kishin si të mungonin yjet Kristiano Ronaldo, Deko, Nani, Karvajo, Pepe, Bosingua, Simao Sabroza apo Migel. Ajo që bie më shumë në sy është rikthimi i Luis Boa Mortes, mesfushorit të Uest Hemit, i cili nuk grumbullohej prej tre vjetësh. Një vend në skuadër iu rezervua edhe mbrojtësit të Deportivo La Korunjës, Hoze Kastro, për të cilin vjen grumbullimi i parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›