E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e të sigurtës

Frojdi e kuptoi se qeniet njerëzore kanë shtytje për seks, e madje edhe shtytje për vdekje. A është e mundur që kemi edhe shtytje për aforizëm? Duket se jemi të prirë t‘i rrahim në krahë përgjigjet dhe t‘i quajmë të sigurta llogaritjet, posaçërisht ato që vijnë nga politikanët tanë. Nuk mjafton të jesh i mençur dhe efektiv, duhet edhe të citohesh. Në fakt, aforizmi është forma më e vjetër e artit të shkruar, sipas ekspertit të aforizmave dhe autorit Xhejms Geri ("Bota në frazë: Histori e shkurtër e aforizmit"). Para se aforistët e famshëm, Mark Tuejn, Doroti Parker dhe Udi Allen të thurnin aforizma, Buda, Jezusi dhe Muhamedi po krijonin rrymë me fjalë. Para pesë mijë viteve, egjiptianët dhe kinezët po gdhendnin fjalë të guximshme për të vërtetat universale.

Të thënat e mprehta bëjnë që të ndihemi më mirë, duke u dhënë formë dhe rend emocioneve tona. Ato janë posaçërisht të dobishme në kohëra të shtrënguara. Eulogjitë dhe editorialet në mënyra të ndryshme i përfshijnë këto tri fjalë të vogla "ashtu si tha...". Ja një: "E vetmja gjë, prej së cilës duhet të kemi frikë, është vetë frika". Ahhhh! Tashmë po ndihem më mirë. Dhe kështu lindi Kori Hallelujah. Megjithatë, më shpesh këto ditë, kthesa gazmore e frazave nga ndonjë politikan, më bën të ndihem më keq. Nuk e di a të duartrokas apo ta shtrëngoj kuletën. Pse vetë gjëja që ka për qëllim ta bëjë dikë të ndihet i lehtësuar dhe i inspiruar, më bën të ndihem e manipuluar dhe skeptike?

Psikologu i Harvardit, Daniel Gilbert, që shkroi tani së fundi në "New York Times", pa dashje mund të na ketë dhënë një çelës. Ai po shpjegonte se njerëzit janë më të lumtur kur janë të sigurt për një gjë. Ne nuk kemi qejf të mos dimë, si duket, edhe kur ajo që dimë është e tmerrshme. Gilberti citoi lloj-lloj eksperimente për të vërtetuar çështjen e tij, duke përfshirë njërën që përfshinte kolostominë, që definitivisht është e tmerrshme. Njerëzit, që e dinin se kolostomia e tyre do të ishte e përjetshme, ishin më të lumtur se ata, kolostomitë e të cilëve ndonjë ditë do të mund të hiqeshin.

Përfundimi i Gilbertit: Njerëzit më parë do ta dinin... Duke i ditur gjërat, ata mund të krijojnë përshtatje psikologjike. "Ne i lidhim lidhëset dhe përkulemi", shkroi ai, "por nuk mund të durojmë të përballemi me rrethana, kushtet e të cilave nuk i dimë". Vërejtjet e Gilbertit ishin në kontekst të problemeve tona të tashme ekonomike. Sapo ta dimë se sa janë (apo nuk janë) keq gjërat, tha ai, ne do të adaptohemi dhe të vazhdojmë si jo më mirë. Ai mund të ketë të drejtë deri diku, por e njëjta pasiguri, e cila ne, qenieve njerëzore, na bën të palumtur, gjithashtu stimulon kreativitetin, i cili na bën të lumtur. A ishte Leonardo da Vinçi i lumtur? Homeri? Xhorxh Uashingtoni?

Shtytja e njeriut që të krijojë nuk lind nga kënaqësia, por nga sikleti i ngjitur për shqetësim të pavetëdijshëm, i cili vjen nga gjëja më e sigurt e menduar ndonjëherë: Vdekja. Ja ku është një e vërtetë, nëse jo një aforizëm. Pa vdekjen dhe sigurinë e fundit fizik, homosapiensët kurrë nuk do të dilnin nga shpella. Jolumturia dhe pasiguria, në vend të lumturisë dhe të qenit të sigurt për diçka, janë ato që na bëjnë të lëvizim prapanicat tona. Nuk ka mjerim. Nuk ka gjëra të madhërishme. Ndaj, ç‘ndodh me shpirtin krijues kur qeveria ndërhyn që të na lehtësojë shqetësimet tona? Pa palumturi, çfarë i ndodh kulturës? Pa mjerim, ç‘i ndodh motivimit? Prindërit e dinë. Mjafton të thuhet: etika e punës nuk është e fuqishme në mesin e të lazdruarve. Më e rëndësishmja, kur i kemi të gjitha gjërat, ç‘ndodh me lirinë, kjo sprapsje njerëzore kundër rendit të imponuar?

Kur Rahm Emanuel tha: "Kurrë nuk dëshironi që një krizë serioze të shkojë dëm", nuk ishte i pari e as i fundit që e tregoi këtë mendim. Xhorxh W. Bush po akuzohej se po shfrytëzonte tmerrin e Amerikës pas 11 Shtatorit për të zgjeruar pushtetin e tij. Barak Obama do të mbahet mend për krijimin e programeve sociale që i nxjerrin buxhetet në dy gjunjë, ndërsa amerikanët ishin mes papunësisë dhe ndryshimeve ekonomike. Frika e qytetarit është eliksiri i politikanit. Siguria mund të jetë premtimi i qeverisë, pasiguria është vaji i tregjeve të lira. Pasiguria gjithashtu ishte mamia e Amerikës. Pa një tolerancë ndaj pasigurisë dhe palumturisë, themeluesit e kombit tonë mund të kishin mbetur në djepat e tyre. Gjeneratat e mëhershme kuptuan se jeta është bixhoz i rezultateve të pasigurta. Me raste, ata ishin të pikëlluar, sepse jeta ndonjëherë është e pikëllueshme. Ata ishin të mirë në vazhdimin e jetës në kohëra të vështira, sepse të shkuarit poshtë ishte më i lehtë sesa ngjitjet.

Sot, ne duket se e tregtojmë lirinë për siguri dhe shpirtin tonë dikur të gjallë për përmbajtje, në formë të pilulës. Gjithë ç‘na duhet është një aforizëm i mirë për t‘i ndihmuar pilulës që të shkojë poshtë më lehtë. Ja njëra, që u pëlqen konservatorëve për t‘i bërë gjërat të ngjallen: "Një qeveri, që është mjaft e madhe sa për të të dhënë gjithçka që ti dëshiron, është një qeveri mjaft e madhe që të mund të marrë nga ti gjithçka që ke". Jeni të lumtur tani?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›