Bylis ruan kreun, Ada tani e katërta
Bylisi fiton 1-3 me Pogradecin dhe ruan kreun e klasifikimit në Kategorinë I. Ballshiotët e drejtuar nga Ilir Spahiu kanë kaluar në këtë mënyrë një test mjaft të vështirë, përballë liqenorëve që ëndërrojnë të kapin zonën "play-off" për t‘u ngjitur në elitë. Pavarësisht disavantazhit fillestar, ata arritën të përmbysin shifrat dhe të marrin tri pikët, edhe pse kanë luajtur për afro 30 minuta në inferioritet numerik. Nuk gabon as Elbasani i vendit të dytë, që gjithsesi vuan përballë Bilisht Sportit. Me golat e Kuçit e Dalipit, verdheblutë vazhdojnë të ndjekin kryesuesit me 2 pikë më pak. Fitore tenistike ajo që Lushnja ka regjistruar kundër Skraparit: ata triumfuan 6-0, me trigolësh të Bubeqit dhe dopjetë të Pepas. Ada fiton minimalisht në fushën e Memaliajt dhe tashmë e sheh veten në vendin e katërt, falë golavarazhit më të mirë se Pogradeci, ndërsa Partizani merr një pikë në fushën e Burrelit.
e. k.
e. k.