E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtanga shqiptare në "Enciklopedinë Europiane të Peshëngritjes 1891-2008"

Arritjet e peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare janë pasqyruar në një botim prestigjioz që ka për autor zv/kryeredaktorin e së përditshmes së mirënjohur sportive franceze, "L‘Equipe", Alen Lunzenfihter. Libri i tij. "Enciklopedia e Peshëngritjes Europiane 1891-2008", përfshin midis figurave që i kanë dhënë tonin këtij sporti edhe një numër drejtuesish dhe peshëngritësish shqiptarë, duke nisur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, e duke vijuar me kampionë të kalibrit si Erkand Qerimaj, Romela Begaj, Elvis Tabaku, Fetije Kasaj, Daniel Godelli, Gerti Trasha, Briken Calja e të tjerë. Për të gjithë shtangistët kuqezi të përfshirë në këtë botim, autori Lunzenfihter rreshton edhe arritjet dhe medaljet e tyre në veprimtaritë europiane dhe ato botërore. Kjo enciklopedi vjen në përvjetorin e 60-të të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që do të festohet gjatë ditëve të ardhshme në Tiranë. Shumë shpejt ky libër do të jetë i disponueshëm edhe për lexuesin sportiv shqiptar, duke ofruar një enciklopedi të plotë të peshëngritjes shqiptare, historisë dhe figurave të saj. Sipas drejtuesve të FSHP-së, "Enciklopedia e Peshëngritjes Europiane 1891-2008" pritet që shumë shpejt të përgatitet në gjuhën tonë, të dërgohet për botim dhe të jetë në duart e lexuesve në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Autori Alen Lunzenfihter, një gazetar i mirënjohur që iu bashkua të përditshmes së famshme franceze në vitin 1975, është një bashkudhëtar i sprovuar i sportit në përgjithësi dhe i peshëngritjes në veçanti, i vlerësuar gjerësisht për kontributin publicistik të tij. Ai është vlerësuar edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe është anëtar nderi i Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›