Fier, kreu i Ujësjellësit fyen dhe kërcënon gazetarin
Unioni i Gazetarëve të Qarkut të Fierit ka reaguar dje pas fyerjes dhe kërcënimit në gazetarit Vladimir Muçaj, korrespondent i njërit prej televizioneve shqiptare. Muçaj, i cili është njëherazi dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve, dega Fier, është bërë objekt kërcënimi dhe fyerjesh, për shkak të detyrës, nga drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Agim Plepi, menjëherë pas një raportimi shumë korrekt dhe profesional që ai ka bërë në linjë telefonike në televizionin ku ai punon. Raportimi bënte fjalë për mungesën e ujit të pijshëm që prej tri ditësh në qytetin e Fierit. Menjëherë pas raportimit, Plepi, në linjë telefonike dhe në kohë rekord (brenda tri minutave) ka telefonuar gazetarin raportues dhe pa i kërkuar asnjë sqarim apo të drejtë prononcimi e ka fyer, sharë, madje kërcënuar atë në mënyrën më brutale. Pas ngjarjes, Unioni i Gazetarëve ka organizuar një mbledhje urgjente dhe menjëherë pas kësaj ka reaguar në kohë rekord, Kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili pas njohjes me problemin angazhoi autoritetet përkatëse për zbardhjen e ngjarjes dhe marrjen e masave efikase. Ndërkaq po dje, komuniteti i gazetarëve të Sarandës ka zhvilluar takimin e fundvitit, si një bilanc të punës së bërë për informimin e opinionit publik gjatë vitit 2009 dhe përcaktimin e detyrave në prag të një viti të ri pune. Pjesëmarrës në takim ishin gazetarë të disa mediave të shkruara dhe elektronike, që kanë korrespondentët e tyre në Sarandë, si dhe kolegë të tyre nga rajoni i Gjirokastrës. Gazetarja e BBC-së, Kristina Fidhi, çmoi bashkëpunimin e mirë mes kolegëve gazetarë në Gjirokastër e Sarandë dhe komunikimin gjithnjë e më të hapur me institucionet, si një premisë për të njohur realitetet në qytetet e komunat e rajonit jugor. Në cilësinë e kryetarit të degës së Unionit për Sarandën, gazetari Thoma Nika e konsideroi 2009 si një vit bashkëpunimi të suksesshëm me institucionet, në interes të informimit të publikut.