Curri gol në Ukrainë, Salihi ndëshkon Ried
Debatik Curri vazhdon të jetë vendimtar te Vorskla Poltava në elitën e futbollit ukrainas. Mesfushori shqiptar ka shënuar golin e parë në fitoren 2-0 që skuadra e tij arriti përballë Zakarpatias. Kuqeziu, që pas afro dy javësh mbush 26-vjeç, ka zhbllokuar rezultatin vetëm pas 4 minutave lojë, ndërsa rrjeta e dytë u realizua nga Bezus në të 30-ën. Me këtë fitore Vorskla ngjitet në kuotën e 19 pikëve, duke iu larguar zonës së "ftohtë" në Vyscha Liga. Shënon edhe Hamdi Salihi, që me golin numër 12 në këtë sezon të Bundesligës austriake ndëshkon ish-skuadrën e tij, Riedin. Në minutën e 63-të, kur rezultati ishte në barazim 1-1, sulmuesi kuqezi ka realizuar golin e fitores 2-1 të Rapidit. Në këtë mënyrë, vjenezët ruajnë kreun e klasifikimit. Trajneri Pakult e ka aktivizuar Salihin si titullar, duke qenë se shkodrani ia njeh pikat e dobëta Riedit: një lëvizje mjaft e zgjuar taktike.
e. k.
e. k.