Tirana shpërdoron, 1-1 me Gramozin
Duhej të ishte java e shpresës. Por, ai që mbeti, ishte vetëm zhgënjimi. Tri pikët me Gramozin cilësoheshin si një formalitet. Megjithatë, barazimi 1-1 i Tiranës konfirmoi problemet e shumta të kampionëve në fuqi gjatë këtij sezoni. Sipas llogarive në letër, e shtuna mendohej se do të rihapte garën për vendin e dytë, pse jo edhe për titullin. Gjërat shkuan ndryshe: Dinamo nuk gaboi në Durrës, ndërsa Besa mund të përfitojë në sfidën me Laçin që të shkëputet edhe më shumë nga ndjekëset më të afërta (Tirana e Apolonia). Bardheblutë e drejtuar nga Alban Tafaj shpërdorojnë një shans të mirë përpara skuadrës që renditet e parafundit në klasifikimin e Kategorisë Superiore. Largimi në heshtje i trajnerit në fund të ndeshjes tregon se diçka nuk shkon. Problemet brenda skuadrës dhe debatet e lojtarëve me stafin teknik, por edhe me zyrtarët e klubit, janë vetëm maja e ajsbergut. Te 24 herë kampionët është edhe problemi financiar i rrogave të papaguara, por edhe i ftohjes mes Tafajt dhe presidentit Halili, që lidhet me anën ekonomike, duke qenë se merkato e janarit po afron dhe drejtuesi i stolit kërkon patjetër përforcime. Trajneri e ka të qartë se skuadrës i nevojiten blerje, ndërsa drejtuesit e klubit duket se nuk kanë ndërmend të luftojnë për të mbajtur as Memellin, një prej elementëve kryesorë. Të gjitha këto probleme reflektohen në fushën e lojës, ku Tirana arriti vetëm 1 pikë, përballë një skuadre, e cila është dukshëm më inferiore. Goli i kapitenit Devis Mukaj në të 11-ën me penallti nuk ishte i mjaftueshëm, pasi kolonjarët barazuan në minutën e 52-të me Dos Santos, pas një tjetër penalltie të akorduar nga gjyqtari Jareci. Edhe pse me këtë barazim bardheblutë ngjiten në vendin e tretë, kjo nuk mund të shërbejë si ngushëllim për ecurinë e deritanishme.
Nga gabimi i Tiranës përfiton Besa e vendit të dytë, e cila ka shansin të rrisë diferencën me ndjekësen më të afërt, por mbi të gjitha Dinamo. Blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk e kanë frenuar marshin e tyre drejt titullit as në transfertën në Durrës. Kryesuesit e kampionatit fituan 3-1 në "Niko Dovana", duke e rritur (momentalisht) në 13 pikë diferencën nga kavajasit dhe në 16 pikë atë nga rivalët kryeqytetas. Golat e Kulit dhe Sozës në 25 minutat e para mbyllën virtualisht takimin, por Teuta nuk u dorëzua dhe barazoi me Milen vetëm pak minuta përpara mbylljes së pjesës së parë. Shifrat finale të ndeshjes u vulosën nga i përhershmi Bakaj në të 66-ën. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e nëntë sezonal, duke lënë sërish gjurmë në fitoren e 12 të Dinamos në 14 takime. Apolonia kthehet me këmbë në tokë: pas eliminimit nga Kupa, fierakët e Hasan Likës humbasin edhe vendin e tretë. Ata kapitulluan përballë Shkumbinit, që fitoi me rezultatin 3-0 falë dygolëshit të Çaushajt dhe rrjetës së Dervishit.