Dashuria e ndaluar e shkrimtarit
Pianoja ishte instrumenti mik, që e shoqëroi përgjatë gjithë jetës. Shpesh dëshironte të kishte zgjedhur të bëhej një muzikant i vërtetë, ndoshta kështu do të kishte qenë më mirë se sa të bëhej një shkrimtar, siç edhe ishte. Liria, largimi nga morali puritan, kërkimi i ndershmërisë intelektuale, që të jep mundësinë të jesh tërësisht vetvetja, duke pranuar homoseksualitetin, pa menduar se duke qenë i tillë nuk ke më asnjë vlerë... Ja, këto ishin temat qendrore të krijimtarisë letrare të shkrimtarit francez, Andre Gide. Me çmimin "Nobel" për letërsinë, shkrimtari francez konsiderohet si një ndër protagonistët e letërsisë botërore, si dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj francezë. I dashur dhe i paragjykuar për dy arsye kryesore: homoseksualiteti dhe simpatia e ndezur për komunizmin. Ai u bë mbështetës i komunizmit pas disa udhëtimeve që bëri duke nisur prej vitit 1925. Për vite i qëndroi bindjes se komunizmi ishte i vetmit sistem shoqëror i vlefshëm, por pas udhëtimit në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1936, ndryshoi tërësisht mendim. Përballja me realitetin sovjetik nuk i pëlqeu aspak; niveli i ulët i jetesës, pagat minimale të punëtorëve, burokracia shtypëse, servilizmi, të internuarit, por nuk i pëlqeu edhe fakti se vendi i "socializmit real" e etiketonte homoseksualitetin si një "ves borgjez". Kjo simpati përfundoi aty. Ndryshe ndodhi me homoseksualitetin, të cilin e jetoi më intensivisht, por edhe më fshehtazi me kalimin e viteve, duke paguar në kurriz për zgjedhjen që kishte bërë në jetë. "Unë nuk kam zgjedhur të jem kështu. Mund të luftoj kundër dëshirave të mia, mund edhe të triumfoj mbi to; por unë nuk mund as të zgjedh objektin e këtyre dëshirave e as të shpik të tjera...", ka thënë Gide. Dhe vuajti vërtet. Shumë e akuzuan si një "helmues të të rinjve", ose deri edhe Lucifer. Gide lindi në Paris, në vitin 1869. Ishte djalë i vetëm i një familjeje të mirë. Ai u rrit mes edukatës së të atit, me të cilin kishte një lidhje shumë të ngushtë dhe asaj të nënës së vet, që dëshironte t‘i impononte një moral të fortë fetar. Në moshën tetëvjeçare e regjistrojnë në shkollën Alsaziana, e famshme për rreptësinë me të cilën formonte nxënësit. Aty e zbulojnë duke u masturbuar poshtë bankës e për këtë arsye e përjashtojnë prej shkollës për tre muaj. Me të vdekur i ati, mbeti tërësisht i vetëm, pre e së ëmës. "Papritmas e ndjeva veten të mbështjellë prej gjithë asaj dashurie që gjendej brenda meje", do të shkruante ai. Ndërkaq nis edhe të zbulojë aftësitë prej shkrimtari. Kjo ndodhi sidomos kur në moshën 16-vjeçare iu dha mundësia të hynte në bibliotekën e të atit. Në vitin 1890 shkruan librin e tij të parë, "Cahiers d‘André Walter". Bëhet fjalë për një vepër autobiografike, e cila fliste për marrëdhënien që e lidhte me kushërirën e tij, Madeleine Rondeaux, dy vite më e madhe se ai, me të cilën ishte dashuruar qysh kur ishte 13 vjeç. Dashuria për të ishte e pastër, shpirtërore, aspak erotike, e megjithatë kishte vendosur se ajo do të bëhej nusja e tij. I shtyrë prej disa shkrimtarëve të tjerë, ai publikon librin e dytë, dhe duke vazhduar kështu me të tjerë libra. Krijimtaria e tij letrare është e pasur me më shumë se 60 vepra. Në vitin 1891, takimi me shkrimtarin anglez, Oscar Wilde, shënoi një tronditje të fortë në jetën e tij. Me aforizmat e tij dhe me snobizmin trasgresiv, atëkohë Wilde ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm sa i përket krijimtarisë, por edhe vendit që zinte në shoqëri. Wilde e traumatizoi Gidenë. Ditari i shkrimtarit tregon se sa thellësisht tronditës ishte ai takim për 22-vjeçarin André. "Wilde po kërkon të më vrasë atë që më ka mbetur nga shpirti, sepse mendon se për të njohur thellësisht një ekzistencë, është e nevojshme ta shkatërrosh më parë; ai do që të pendohem për shpirtin tim", do të shkruante ai. Me t‘u larguar prej tij, Gide u kushtohet tërësisht studimeve, duke shpresuar të harronte fantazmën e Wilde, ose thënë ndryshe një seks që ende nuk e kishte njohur në praktikë dhe që pikërisht për këtë arsye e donte më shumë akoma. Për ta provuar nuk priti shumë. Në vitin 1893, Gide vendos që së bashku me mikun e tij, piktorin Paul A. Laurens, të shkojë në Tunizi. Magrebbi ishte një përhumbje në çdo kuptim, si në aspektin viziv, ashtu edhe erotik. Pas vdekjes së të ëmës, ai trashëgon pasurinë e familjes dhe më në fund martohet me Madeleine, një martesë e cila nuk do të konsumohet asnjëherë. Ajo nis me të një udhëtim muaj mjalti pikërisht në Tunizi. Prej asaj kohe, Gide nuk bëri më asgjë për të fshehur prirjet e tij seksuale. Ai hapur deklaroi prirjet e tij, në një periudhë kur shumë pak kohë kishte kaluar nga burgimi i Oscar Wilde, pikërisht për shkak të homoseksualizmit të tij. U nda prej bashkëshortes, të cilën e deshi shumë dhe i kushtoi edhe një libërth, që u botua pas vdekjes dhe që shprehte gjithë përhumbjen, gjithë mungesën e boshllëkun që ajo kishte lënë në jetën e tij. Andre Gide ndërroi jetë në Paris, në 19 shkurt të vitit 1951. U varros pranë të dashurës Madeleine, sepse në mënyrën e tij ai e dashuroi pafundësisht atë. Shumë pak personalitete të tjera të letërsisë europiane kanë mundur, ashtu si Gide, të kthehen në një pikë referimi për breza të tërë lexuesish. Ai qëndroi në krye të letërsisë franceze, që u ngrit mes dy luftërave, duke shkruar në shumë gjini, si në prozë, vepra lirike e teatrale, publicistikë, por edhe ditarë. Nëpërmjet tyre, ai dëshironte që letërsia dhe jeta e tij të ishin një e vetme.