E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi, kockë e fortë, në Korçë vetëm barazim për ujqërit

bylisFeliks Papanikolla

Skënderbeu nuk arrin të mposhtë dot Bylisin, i cili konfirmohet si macja e zezë e korçarëve këtë sezon dhe i merr një barazim me gol në fushën kundërshtare

Skënderbeu nuk arrin dot të shkojë më larg se barazimi në ndeshjen e parë gjysmëfinale, përballë Bylisit. Ballshiotët i bëhen verem korçarëve, dhe i marrin barazimin e dytë brenda sezonit në Korçë, duke i dhënë vetes një avantazh të konsiderueshëm për ndeshjen e kthimit.

Tekniku Shensoji, përpara dy ditësh, në intervistën e dhënë për Sportin Shqiptar, kishte deklaruar se në Korçë, do të shkonin me vetëbesim ,dhe për të shkëputur një rezultat pozitiv, dhe ja dolën. Rezultati 1-1, favorizon së tepërmi miqtë, të cilëve tani u mjafton dhe një barazim pa gola për të prekur finalen.

Në kampin korçar, Josa duhet të gjejë mënyrën, për të mposhtur Bylisin e pamposhtur sivjet, dhe të sigurojë finalen, duke pasur në dispozicion ekipin më cilësor në Shqipëri. Përveç rezultatit, shqetësuese në kampin bardhekuq, duhet të jetë dhe performanca e ekipit, pasi rastet e krijuara nuk ishin asnjëherë aq të rrezikshme, sa për të vënë në vështirësi portierin vendas, Frashëri, dhe presioni nuk ishte i mjaftueshëm aq sa për të zmbrapsur sulmet e miqve.

Pjesa e Parë

Ndeshja nisi e qetë, nën rrezet e pakta të diellit, dhe në prani të pak spektatorëve korçarë dhe ballshiotë. Iniciativën e marrin vendasit, të cilët provojnë disa herë me Plakun, por tentativat e sulmuesit tiranas nuk shqetësojnë portierin Frashëri, i cili pret i qetë në të gjitha rastet.

Minutat e para flasin për korçarët, ndërsa rasti i parë i miqve do vinte vetëm pas 25 minutash, kur Gërxho provon, por Shehi e ka të lehtë të rrokë topin. Loja nis të nxehet, dhe të dy ekipet hedhin sytë drejt portave kundërshtare, duke kërkuar golin. Skënderbeu ngulmon më shumë, por korçarët, pak nga një Pejiç në ditë të keqe, dhe pak nga mungesa e fatit, nuk arrijnë të zhbllokojnë  rezultatin, duke e mbyllur pjesën e parë pa gola.

Pjesa e Dytë

Pjesa e dytë nis më mirë për Skënderbeun, i cili është më i motivuar, për të arritur fitoren, dhe përpiqet të sulmojë me kujdes portën ballshiote, pa lënë hapësira në prapavijë.

Rreziku i parë vjen nga kapiteni Shkëmbi, i cili provon me një goditje dënimi, në minutën e 51-të, por Frashëri reagon në mënyrë të shkëlqyer, duke e larguar topin në goditje këndi. Vazhdojnë të provojnë sërish vendasit, kësaj here, me Kulin, i cili rrezikon me një gjuajtje spektakolare, por topi përfundon pak sipër shtyllës horizontale.

Bardhekuqtë dominojnë lojën, por pa arritur të krijojnë raste ideale për shënim, dhe nuk kanë qartësinë e duhur në veprimet sulmuese. Pikërisht, në momentin më të mirë të vendasve,  dhe pas rasteve të shpërdoruara nga Lilaj, Kuli dhe Pejiç, është Bylisi që surprizon, me të riun Piter Olajinka, i cili shënon golin e tij të tretë në Kupë, me fanellën e kuqe.

17-vjeçari nigerian, shfrytëzon mjaft bukur një top të krosuar nga Ristevski, dhe me kokë e dërgon sferën në cepin e portës vendase, duke mos i dhënë asnjë mundësi Shehit, të largojë. Reagimi i Skënderbeut është i vakët, dhe pavarësisht se gjithë ekipi hidhet në sulm, nuk ka raste konkrete, dhe korçarët pak herë arrijnë deri në zonë, dhe kur e bëjnë këtë bllokohen menjëherë nga një numër i madh fanellash të kuqe.

Megjithatë, kur nuk shënon dot nga afër do e bësh nga larg, dhe këtë e kupton Sabien Lilaj, i cili pasi lë në vend Teqjan me lëvizjen e tij, gjuan dhe e dërgon topin atje ku Frashëri nuk arrin dot. Miqtë dëshpërohen, vendasit festojnë, ndërkohë që kronometri shënon minutën e 88-të.

Pashaj akordon tre minuta shtesë, që duhet të ishin tre minuta shprese për bardhekuqtë, por ata nuk arrijnë të realizojnë golin e fitores, madje nervozizmi është aq i lartë, sa Kuli tejkalon limitet dhe shfryn dufin te Adebajo, duke e goditur këtë të fundit, dhe duke detyruar arbitrin Pashaj të nxjerrë kartonin e kuq direct, për lojtaarin kavajas. Loja mbyllet këtu, dhe minutat shtesë nuk mjaftojnë për asgjë. Rezultati përfundimtar është 1-1, rezultat qe penalizon korçarët, dhe ndihmon deri diku të besuarit e Shënsojit. Megjithatë, mbeten dhe 90 minuta për tu luajtur.

Incidente në tribunë

Herë pas here janë krijuar incidente në tribunën VIP, ku në dy apo tre raste është dashur ndërhyrja e policisë, për të qetësuar situatën. Incidentet kanë qenë mes shoqëruesve të presidentit Ardjan Takaj dhe të pranishmëve ballshiotë në tribunë, ndërsa dhe drejtuesit ballshiotë janë tensionuar. Të pranishëm në tribunën VIP kanë qenë presidenti korçar Ardjan Takaj, president ii Bylisit, Krenar Kapllanaj, dhe Ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, i cili njihet si tifoz i flaktë i ekipit të qytetit të tij.

Me Tiranën, të dielën

Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar kërkesën e Skënderbeut, për të shtyrë ndeshjen kundër bardhebluve, për të dielën e ardhshme, në vend të shtunës, ditë në të cilën ishte planifikuar të luhej fillimisht. Në këtë mënyrë, super ndeshja e kësaj jave, do të luhet të dielën në orën 17:00, në stadiumin Qemal Stafa, i cili rihapet për klubet, pasi u ruajt nga drejtuesit e Federatës,  për miqësoren kundër Lituanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›