E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kukës ka gjithçka përveç golave

kukesi laciNë një stadium të tejmbushur,Kukësi dhe Laçi dhurojnë një sfidë që e ka gjithçka brenda përveç golave, ndërsa kualifikimi vendoset në sfidën e ardhshme

Blutë e Veriut nuk kanë shkuar më larg se barazimi pa gola në fushën e tyre, dhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve, të cilët kanë mbushur shkallët e stadiumit Zeqir Ymeri.

Të besuarit e trajnerit Armando Cungu, kanë shpërdoruar një mori rastesh dhe nuk janë treguar konkretë përpara porte, ndërsa në krahun tjetër, bardhezinjtë, kanë bërë çkanë mundur, për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, deri aty sa të zgjidhin dhekëpucët e tyre, siç ndodhi dhe në rastin e portierit Bakaj, rast që u kap nga kamerat.

Megjithatë, djemtë e Nicës, arritën të tregoheshin pragmatistë, dhe dolën me një barazim pa gola, rezultat që i favorizon në një farë mënyre, duke ditur që fusha e Laçit është një fortesë e vërtetë.

Pjesa e Parë

Pjesa e parë nis më mirë për vendasit, të cilët dalin në sulm, duke treguar që në fillim të lojës, synimet e tyre. Megjithatë  minutat e para nuk sjellin ndonjë rast të pastër dhe tentativat e kuksianëve për të zhbllokuar rezultatin zmbrapsen herë nga Bakaj, dhe herë nga qendërmbrojtësit laçjanë. Vendasit këmbëngulin dhe tentojnë disa herë me Prognin, por mesfushori tropojan nuk arrijnë të finalizojnë siç duhet.

Pas një dominimi fillestar të vendasve, zgjohet Laçi, i cili del nga mbrojtja dhe shikon drejt sulmit, edhe pse e bën këtë me kujdesin maksimal, duke mbajtur gjysmën e skuadrës të tërhequr dhe duke sulmuar me Emurllain dhe Nimanin, ndërsa fantazisti Vucaj, ngjan më tepër me shkatërrues. Kukësi nuk stepet dhe vazhdon përpjekjet në kërkim të golit, duke i shkuar pranë dy herë me Popoviç dhe me ish-in Brahja.

Sulmuesi serb nuk arrin dot të shënojë i vetëm me portierin mik, ndërsa dy minuta më vonë është mbrojtësi Brahja që gjuan me kokë, por topi godet shtyllën horizontale të portierit Bakaj. Kundërpërgjigja e bardhezinjve është e vakët, dhe nuk sjell ndonjë rrezik të veçantë për portën e mbrojtur nga Halili. Mbyllet kështu pjesa e parë me rezultatin e bardhë 0-0, pa gola, por me një nivel të kënaqshëm loje.

Pjesa e Dytë

Pjesa e dytë është fotokopje e të parës, me vendasit që vazhdojnë dominimin e tyre, dhe me miqtë që mbrohen me të gjitha mënyrat, shpesh herë, duke irrituar edhe publikun e pranishëm. Megjithatë, dominimi i vendasve mbetet vetëm në zotërimin e topit, pasi rastet e pastra për shënim mungojnë, dhe loja përqendrohet më tepër në mesfushë.

Laçjanët e bëjnë bukur detyrën e prishjes së aksioneve vendase, dhe ulin ritmin e lojës. Ashtu si dhe në pjesën e parë, me kalimin e njëzet minutave të para, miqtë fillojnë daljet nga porta e Halilajt dhe tentojnë disa herë por pa konkretizuar siç duhet rastet e paraqitura. Në krahun tjetër, Cungu vendos të ndryshojë gjithcka në lojën e tij dhe bën tre zëvendësime në harkun e tre minutave.

Zëvendësimet përmirësojnë lojën e Kukësit, por sulmet e vendasve nuk kanë qartësinë e duhur, ndërsa tentativat e Popoviç, priten lehtë nga portiere Bakaj. Në fund, gjyqtari Sino, i kolegjiumit të Fierit, i bën zbor kartonëve të verdhë teksa nxjerr plot tre kartonë të verdhë në katër minuta, përkatësisht për Kastratin , Bakajn dhe Dokun, i cili e ka të dytin dhe detyron ekipin e tij të qëndrojë më 10 lojtarë.

Mungesa e Dokut, do të jetë një mungesë e konsiderueshme në ndeshjen e kthimit, megjithatë pavarësisht kësaj, miqtë janë më të favorizuar, dhe kanë shansin e artë për të prekur historinë, dhe për të hedhur një hap më larg se gjysmëfinalja e humbur ne 1998 përballë Apolonisë.

Në kampin kuksian, ndërkohë, nuk ka humbur optimizmi, teksa në lojën e sotme u duk qartë superioriteti ndaj laçjanëve, dhe fitorja në fushën e vështirë të Laçit, ose çdo lloj barazimi me gola, kualifikon blutë e Veriut.

Festë dhe incidente në Zeqir Ymeri

Stadiumi i Kukësit ka qenë i tejmbushur ditën e djeshme. Tifozët e ekipit verilindor, kanë qenë në një numër rekord, duke mos lënë asnjë vend bosh në stadiumin Zeqir Ymeri. Ka rënë në sy ndërkohë dhe përkrahja e tifozëve laçjanë, të cilët kanë udhëtuar në Kukës me plot pesë autobusë.

Përveç festës në shkallët e stadiumit, ka pasur dhe incidente, teksa në fund të pjesës së parë, janë lëshuar karrige dhe sende të forta në fushë. Irritimi i tifozëve ka ardhur nga veprimet e lojtarëve miq, të cilët vononin lojën pa shkak, për të përfituar  minuta.

Dhe në pjesën e dytë ka pasur incidente ndërsa flitet se lojtari i Laçit, Sadush Danaj, është goditur nga sende të ndryshme dhe ka përfunduar në infermieri. Rast interesant, është dhe ai i portierit Bakaj, i cili ka marrë dhe karton të verdhë për vonesa loje. Bakaj, ka arritur të zgjidhë këpucën e tij, edhe pse me dorashka, dhe ka kërkuar ndihmën e shokëve të skuadrës për të lidhur këpucët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›