Katër ekipe për dy vende, gara ndizet me gjysmëfinalet
Në Korçë, kampionët do të luajnë për double kundër Bylisit të karikuar, ndërsa në Kukës, blutë e Cungut, do të luftojnë me Laçin , për një vend në finale, dhe në histori
Luhen sot ndeshjet e para të takimeve gjysmëfinale të edicionit të 61-të, të trofeut të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Në ndeshjet që dotë luhen sot, Kukësi do të presë në shtëpi Laçin, ndërsa Skënderbeu do të presë Bylisin. Ndeshja në Kukës, luhet në stadiumin Zeqir Ymeri në orën 14:00, kursë korçarët luajnë nën dritat e prozhektorëve, në orën 17:00
Skënderbeu Bylis
E mërkurë, 3 Prill, Ora 17:00, Stadiumi Skënderbeu, Korçë
Formacionet e mundshme:
Skënderbeu : (4-4-1-1) Shehi, Radas, Bici, Gvozdenoviç, Vrapi, Ademir, Lilaj, Shkëmbi, Orelesi, Plaku, Pejiç
Trajner: Mirel Josa
Bylis : (4-4-2) Frashëri, Adigun, Ristevski, Idrizaj, Shoshi, Gërxho, Meto, Bola, Teqja, Arbri, Izuçuku
Trajner: Naxhi Shensoji
Këtë sezon:
Korçarët vijnë si rekordmenë në këtë ndeshje, me një ecuri në kampionat 8-1-1, ku nga 30 pikë në lojë kanë grumbulluar 25. Megjithatë, ashtu siç deklaroi dje Shensoi, për Sportin Shqiptar, në dy ndeshje këtë sezon mes Bylisit dhe Skënderbeut, të dyja kanë përfunduar në barazime, që sipas rregullit të golit në fushë kundërshtare, do të eliminonin ekipin vendas. Ndeshja e parë në Ballsh ka përfunduar në barazim 1-1, ndërsa 90-minutëshi i rregullt, pa Komisionin e Disiplinës, në Korçë, ka dalë 2-2.
Historia:
Në Kupë, këto dy ekipe janë ndeshur vetëm në edicionin 1999-2000, kur Bylis u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 1-3. Pasi kishin humbur ndeshjen e parë 1-0, ballshiotët përmbysën gjithçka në shtëpi, teksa fituan pastër me rezultatin 3-0. Kjo është e vetmja përballje me eliminim direkt mes tyre, ndërsa po të kthehemi në vitin 1988, këto dy ekipe janë ndeshur dhe ne grupe mes tyre, ku dominues ka dalë ekipi korçar.
Për sa i përket ndeshjeve në total, humbja e fundit e Skënderbeut me Bylisin në shtëpi, mungon prej 13 vjetësh. Ballshiotët nuk fitojnë që nga 18 nëntori i vitit 2000, kur merrnin trepikëshin në transfertën e Korçës, me rezultat 0-2. Për Skënderbeun, fitorja e fundit është ajo e vitit të kaluar, kur e mundte ekipin mik me rezultatin 3-2. Barazim ka përfunduar sfida e fundit mes tyre, që ka dalë 2-2.
Sot:
Sot korçarët do të kërkojnë fitoren, në mënyrë që të kenë mundësinë të fitojnë për herë të parë kupë dhe kampionat së bashku. Grupi është i plotë dhe nuk ka asnjë mungesë nga dëmtimet, apo të pezulluar, kështu që të gjithë lojtarët janë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa.
Mendohet se skema do jetë ajo e përdorur kundër Teutës, ndërsa në rast të një avantazhi të shpejtë, Josa do të kërkojë të relaksojë ekipin, pasi përpara është ndeshja me Tiranën, për kampionat. Në krahun tjetër, i plotë do të jetë dhe grupi i drejtuar nga Naxhi Shensoi.
Turko-kosovari vjen në këtë ndeshje i qetë, pasi ka siguruar mbijetesën, dhe do të luajë për të shfrytëzuar të vetmen mundësi për të luajtur në Europë, atë nga Kupa. Duke qenë se llogaritë në kampionat mund të quhen të përfunduara, ballshiotët i kanë vënë syrin Kupës, dhe në deklaratat në prag të ndeshjes, ata besojnë te suksesi i tyre jo vetëm në gjysmëfinale, por dhe në finale.
Kukësi Laçi
E mërkurë, 3 Prill, Ora 14:00, Stadiumi Zeqir Ymeri, Kukës
Formacionet e mundshme:
Kukësi : (4-3-3) Halili, Peqini, Hallaçi, Brahja, Malakarne, Allmuça, Alikaj, Biskup, Progni, Popoviç, Malindi
Trajner: Armando Cungu
Laçi: (4-5-1) Bakaj, Kastrati, Milenkoviç, Doku, Buljan, Bilibashi, Shazivari, Vucaj, Nimani, Zefi, Emurllai
Trajner: Stavri Nica
Këtë sezon:
Këtë sezon, Laçi dhe Kukësi, i kanë zhvilluar të dy ndeshjet në kampionat, rezultati i të cilave do kualifikonte verilindorët. Ndeshja e parë , në Laç, ka përfunduar me rezultatin 1-1, me gola të Buljan, për vendasit, dhe Malindit, për miqtë. Ndeshja e dytë, e cila është luajtur vetëm disa ditë më parë, i ka dhënë kualifikimin statistikor kuksianëve, pasi ka përfunduar me rezultatin 2-1. Për djemtë e Cungut, ka shënuar bomber Popoviç, dhe ish-i Brahja, ndërsa dhe goli i miqve, mban firmën e një lojtari të Kukësit, pasi ishte Ylli Hoxha, që shënoi një autogol.
Historia:
Në Kupë, Kukësi me Laçin, janë ndeshur vetëm dy herë, në sezonet 1999-2000, dhe 2003-2004. Herën e parë, ishin kuksianët që kualifikoheshin me rezultati të përgjithshëm 5-2, pasi fituan në shtëpi 3-0, dhe barazuan jashtë 2-2. Vetëm katër vjet më vonë, në edicionin 2003-2004, të Kupës së Shqipërisë, ka qenë Laçi, ai që është kualifikuar, pasi ka mundur me rezultat të përgjithshëm 8-1 verilindorët. Ndeshja e parë në Kukës ka dalë 1-3, ndërsa në Laç, bardhzinjtë kanë shpartalluar 5-0 kundërshtarët e tyre, duke i eliminuar kështu nga Kupa.
Sot:
Ndeshja e sotme, pritet me mjaft interes nga të dy tifozeritë. Hyrja është falas për tifozët vendas, ndërsa për shepnzimet e udhëtimit dhe qëndrimin në stadium të tifozëve miq ka menduar presidenti Pashk Laska, i cili ka vënë në dispozicion të tij, plot pesë autobuza dhe ka siguruar dhe biletat për tifozët bardhezi.Për sa i përket dy ekipeve, si në gjysmëfinalen tjetër mes Skënderbeut dhe Bylisit, dhe këtu, të dy ekipet janë të plota dhe trajnerët Nica, dhe Cungu, mund të rreshtojnë njëmbëdhjetëshen e tyre më të mirë në fushë.
Kukësi, do të kërkojë me ngulm golin dhe pse jo një rezultat sa më të thellë, në mënyrë që të jetë sa më i sigurt për ndeshjen e kthimit, ndërsa në krahun tjetër, laçjanët, do të kërkojnë të nxjerrin diçka në dritë, nga një sezon me shumë zhgënjime. Për laçjanët kjo është hera e dytë në gjysmëfinale, herës së parë, të humbur me Apoloninë, në sezonin 1997-1998, ndërsa kuksianët nuk kanë qenë asnjëherë më parë kaq larg në Kupë.