Bylisi në dritën e zbulimeve të reja
08/06/2009 Intervistë me drejtorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, prof.as. dr. Bashkim Vrekaj
Janë zbulime të bëra këto ditë në Bylis, të cilat u bashkëngjiten informacioneve me vlerë që vijnë nga antikiteti dhe që identifikojnë territoret shqiptare në pellgun e Mesdheut. Një punishte e madhe e vajit të ullirit, monumenti i Terencianit dhe një punishte tjetër për shkrirjen e qelqit janë nxjerrë në dritë gjatë ekspeditës së ndërmarrë nga një grup arkeologësh shqiptarë dhe francezë. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Bylisit, prof.as. dr. Bashkim Vrekaj, flet për rëndësinë e këtyre zbulimeve, gërmimet e mëtejshme në qytetin antik dhe restaurimin e objekteve në vend, si një risi e ndërmarrë prej tyre:
- Përpara një muaji arkeologë shqiptarë dhe francezë në një ekspeditë të përbashkët eksploruan sërish Bylisin, çfarë risish sollën këtë herë?
- Ekspedita shqiptaro-franceze, e cila vazhdon prej 10 vjetësh të gërmojë në qytetin antik të Bylisit, edhe këtë vit vazhdoi gërmimet pothuajse në të njëjtat monumente të vitit të kaluar në kompleksin peshkopal, ose siç quhet ndryshe, në katedralen e qytetit, e cila ka shumë ambiente ndihmëse, mes tyre edhe punishte vere, zbulimi i së cilës vazhdon ende. Këtë vit është zbuluar një vaskë e tretë për përgatitjen e verës. Gjithashtu u vazhduan gërmimet edhe në monumentin e Terencianit, i cili është zbuluar po ashtu vitin e kaluar, domethënë u zbulua dhe u gërmua pjesërisht. U bë një ndërhyrje shumë e vogël në sterën antike. Nga kjo pikëpamje, mund të themi se gërmimet janë në vazhdim, por me këto ritme kuptohet se rezultatet janë jo ato që priten, për arsye se Bylisi është një qytet që meriton një ritëm më të madh kërkimesh arkeologjike dhe ndoshta nga kjo pikëpamje duhet parë edhe strategjia që kanë autorët respektivë të gërmimit, arkeologët shqiptarë dhe francezë, por edhe mundësi për ndërhyrje të tjera, sepse nuk mund të pranohet ky ritëm kaq i ulët për gërmimet, ndërkohë që monumentet janë. Nuk është normale që një monument të zbulohet për 3 ose 4 vjet, kur mund të zbulohet për dy fushata. Veç kësaj, edhe fakti që ata ndihen ende të pasigurt për perspektivën e gërmimit na bëjnë që në bashkëpunim edhe me Institutin Arkeologjik të gjejmë mundësinë edhe të intensifikimit, apo dhe të hapjes së misioneve të tjera, gjë që është normale.
- Të dy grupet e arkeologëve (shqiptarë dhe francezë) përbëheshin nga një numër i barabartë arkeologësh, po kush i drejtonte gërmimet?
- Ekipi është i përbashkët shqiptaro-francez, kështu që nga kjo pikëpamje është normale të mos kenë një numër të barabartë arkeologësh, por problemi qëndron në faktin se metoda e tyre e punës është një motodë paksa ekspensive, sepse këtu arkeologët edhe gërmojnë, edhe bëjnë dokumentacionin, gjë që sjell vonimin e punimeve. Për shkak të mungesës së fondeve, siç pohojnë arkeologët, detyrojnë specialistët që edhe vetë të gërmojnë. Kjo ul ritmet, gjë që është normale. Megjithatë, sa për informacion, nga ekipi francez kanë qenë 13 specialistë dhe kryesohen nga specialistja me përvojë Paskal Shevalje, ndërsa nga pala shqiptare kanë qenë 11 persona, ku përfshihen specialistë arkeologë, specialistë të rinj, restauratorë dhe kryesohen nga arkeologu i njohur Skënder Muçaj.
- Në lidhje me gërmimet e reja, një zbulim është baseni i ri i verës. Ku është zbuluar dhe në ç’periudhë daton?
- Jemi gjithnjë në katedralen e qytetit, e cila është një kompleks që, me gjithë zbulimet e bëra, ende nuk ka përfunduar. Këtu kemi parasysh që në një kompleks të tillë të kultit, siç është bazilika, ekzistonin edhe ambiente ndihmëse, sepse aty rrinte peshkopi dhe gjithë personeli tjetër që shërbente në bazilike. Pra, ishte, si të thuash, një ekonomi pothuajse e mbyllur. Aty përgatitej vera, vaji, kishte zdrukthëtarë. Pra, kishte një lloj organizimi të brendshëm për të plotësuar nevojat jo vetëm të personave brenda bazilikës, por edhe të një pjese tjetër të qytetit. Ishte e kombinuar, pra krahas aktivitetit fetar kishte edhe një aktivitet prodhues. Punishtja e verës ishte një nga këto lloj ekonomie ndihmëse. Edhe magazinat që janë ngjitur me të janë dëshmi se vera ruhej në këto magazina dhe me këtë rast dalim në problemin e restaurimit. Kemi marrë përsipër një projekt restaurimi për një nga këto magazina të verës apo ndoshta të vajit me bitosa (enë të mëdha rezervë) për ruajtjen e verës, vajit apo drithit (gjithsej 17 të tilla), pasi ishte komplet e fragmentarizuar. Kjo përbën edhe një risi në këtë drejtim, sepse është hera e parë që një objekt restaurohet në vend. Shpresojmë që jo vetëm të marrë pamjen që ka pasur, por njëkohësisht të ndikojë dukshëm në rritjen e numrit të vizitorëve, pasi tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë në vend një magazinë.
- Ju thatë se për herë të parë do të restaurohet në vend një objekt, përgjithësisht si ka funksionuar deri tani? Ku restauroheshin këto objekte?
- Nga praktika e restaurimeve, enët dhe objektet e tjera dërgohen në laborator në Tiranë. Pra, merren enët e fragmentuara dhe dërgohen në laborator e më pas vendosen në muze dhe nuk dërgohen më në vend, sepse, po e shkëpute një objekt nga vendi, është vështirë të kthehet. Pikërisht për hir të këtij origjinaliteti ndërmorën restaturimin në vend. Pra, ena ose objektet e tjera të dëmtuara restaurohen në vendin e tij arkeologjik, ashtu siç restaurohet një monument kulture, një mur që nuk shkëputet. Unë them se kjo përbën risi, që do të hapë, si të thuash, një fazë të re në restaurimet e këtij lloji në vendin tonë.
- Ekspedita e përbashkët do të vazhdojë në Bylis edhe në vitet e tjera?
- Realisht jemi të interesuar që gërmimet të vazhdojnë, sepse normalisht që ku ka gërmime, ka zbulime të reja. Problemi është që të dyja palët kanë marrëveshje mes tyre. Duhet të zbatohet kjo marrëveshje. Nëse dy vendet tona e kishin këtë marrëveshje prej 10 vjetësh, atëherë është e drejta e Institutit Arkeologjik të rinovojë marrëveshjen ose jo, sipas kritereve. Ky është viti i dhjetë, por ajo që na shqetëson është ritmi i ulët dhe pasiguria e tyre. Deri ditën e fundit arkeologët thanë: “Nuk e dimë nëse do të vijmë më apo jo.” Kjo nuk është normale për një bashkëpunim me të huajt. Nëse kjo marrëveshje ka përfunduar, marrëveshja e re duhet të parashikojë kritere të tjera, duke futur këtu edhe ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese të monumenteve, që monumenti të mos lihet në mëshirë të fatit dhe të zbatohen edhe rregullat e tjera, që janë evadimi i mbetjeve të ngurta etj.
- Mendoni se rezultatet e këtyre restaurimeve në vend të objekteve do të sjellin shtimin e numrit të vizitorëve në Bylis?
- Pa dyshim. Qëllimi i gërmimit dhe restaurimit veç aspektit shkencor, që është shumë i rëndësishëm në rastin e qindrave të tilla, siç është Parku Arkeologjik i Bylisit, është edhe rritja e vizitueshmërisë. Pas restaurimeve që kemi bërë vitin e kaluar në një banesë të periudhës romake dhe në një banjë publike, monumente që ishin të shkatërruara, tashmë ato tërheqin vëmendjen e vizitorëve. Megjithëse banja është e pagërmuar e gjitha, dhe kjo është një nga defektet e arkeologëve, megjithatë për ta ruajtur në gjendjen e gërmimit ne kemi bërë restaurime me fonde minimale dhe objektet janë bërë monumente të vizitueshme. Pikërisht këtë duam të bëjmë edhe me punishten e verës, sepse nuk është normale që vizitorëve t’u themi: “Këtu është një punishte vere, por ju nuk e shikoni dot.” Pikërisht ky është edhe problemi. Ndaj jemi të interesuar edhe për gërmime, edhe për restaurime, sepse jo vetëm rritim vizitueshmërinë, por e pasurojmë qytetin me monumente të tjera edhe më të larmishme. Nga kjo pikëpamje, të gjithë jemi të fituar.
- Në lidhje me ambientin, cila është pamja që të ofron Bylisi?
- Qëllimi kryesor i Parkut është mbrojtja e monumenteve, mbrojtja e ambientit. Në këtë pikëpamje, kemi bërë të gjitha përpjekjet maksimale që të krijojmë një ambient të pastër, sa më tërheqës për vizitorët. Në radhë të parë të jenë monumente të pastra. Gjendja e tyre është e mirë, po kështu edhe ambientet e tjera rreth tyre; rrugëkalimet janë të pastra, por bimësia sivjet ka qenë mjaft e dendur edhe për shkak të kohës me lagështi. Ajo që vëmë re është ritmi relativisht i kënaqshëm i vizitorëve, sidomos atyre të huaj, pavarësisht problemeve të mëdha të infrastrukturës rrugore për në Bylis. Muaji maj në këtë drejtim ka qenë mjaft rezultativ dhe ajo që është më kryesorja është se tani kemi vizita të organizuara. Na vijnë grupe turistësh që kanë si destinacion Bylisin. Në këtë rast ne i shoqërojmë. Ka turistë italianë, grekë, francezë, gjermanë etj., të cilët vijnë edhe individualisht, por sidomos të organizuar. Shpresojmë që ky vit të ketë një numër më të madh vizitorësh. Problemi kryesor në Bylis është ai i bimësisë. Sepse bimësia i mbulon monumentet, domethënë ul vizitueshmërinë. Por gjithsesi puna jonë është e mirë, sepse nuk është qëllimi për të zhdukur gjithë bimësinë, pasi Parku ka edhe aspektin natyral. Kombinimi i monumenteve me ambientin përqark është një joshje për vizitorët. Nuk ka përreth asnjë mbeturinë me gjithë dëmtimet e nxënësve kur vijnë të organizuar. Gjithsesi, vizitorët mbeten shumë të kënaqur, dhe kjo na nxit për më shumë.
- Sa ka arritur numri i vizitorëve gjatë muajit maj?
- Ka dy aspekte. Në radhë të parë janë vizitorët me bileta, pasi urdhri i Ministrisë është që vizitorët normalisht duhet të paguajnë biletë sipas kategorisë. Sivjet bileta është standardizuar si për vendas, ashtu dhe për të huaj në çmimin 300 lekë. Por ministria ka parashikuar edhe ditë të veçanta, siç janë Dita e Monumenteve të Kulturës, Dita e Verës, festa të tjera, apo të dielën e fundit të çdo muaji, kur hyrja është e lirë. Kjo për të nxitur vizitorët që të vizitojnë sa më shpesh Parkun Arkeologjik, por t’u japin mundësi edhe atyre që nuk mund të vijnë në ditë të zakonshme që ditën e diel të bëjnë vizitë falas. Muaji maj ka pasur rreth 5000 vëta. Vizitorë me bileta që nga janari e deri tani janë rreth 550, numër ky që është në të njëjtin nivele me vitin e kaluar. Ndërkohë muaji maj ka qenë një bum, duke pasur parasysh se vite më parë ky numër ishte shumë herë më i ulët.
Bisedoi: Aurora Damini