Fullani: Pse e ulëm normën e interesit
Edhe pse raporti për ekonominë kishte shpesh nota ngelëse, Banka e Shqipërisë e zyrtarizoi dje uljen e normës bazë të interesit për lekun, nga 5.25 në 5 për qind.
Guvernatori Fullani, e justifikoi këtë veprim, me premtimin e buxhetit të rishikuar për uljen e borxhit të brendshëm, me rritjen e kërkesës për kredi që ka biznesi privat dhe me një situatë të favorshme likuide të bankave të nivelit të dytë. Në finale, Fullani tregoi se një veprim i tillë do t’i shërbejë më shumë rritjes ekonomike. “Banka e Shqipërisë beson se sistemi bankar do ta përcjellë në ekonomi në kohë dhe në intensitetin e duhur. Shtimi i depozitave, situata e likuiditetit në sistemin bankar, kërkesa në rënie e buxhetit, krijojnë premisa reale për orientimin më të madh të fondeve në financimin e sektorit privat”.
Ekonomia reale
Në analizën e saj, Banka e Shqipërisë nënvizon se ekonomia shqiptare është rritur me 2 për qind gjatë pjesës së parë të vitit. Sidoqoftë, edhe pse çuditshëm, rritja ekonomike e vendit nuk ka ardhur nga kërkesa e vendasve, por nga kërkesa e huaj. “Rritja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik nuk janë të balancuar në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ato janë mbështetur më shumë në kërkesën e huaj se në kërkesën e brendshme dhe përmbajnë në vetvete një ecuri më dinamike të sektorit të industrisë dhe të shërbimeve, kundrejt ngadalësimit të sektorit të bujqësisë dhe të degës së ndërtimit”. E thënë ndryshe, janë rritur shifrat e GDP, dhe jo shpërndarja e saj te të gjithë qytetarët. “Po kështu, rritja ekonomike e kësaj periudhe është shoqëruar nga një ecuri më e ngadaltë e tregut të punës dhe e treguesve të punësimit, duke rritur kapacitetet e pashfrytëzuara njerëzore dhe kapitale të ekonomisë shqiptare”. Pra rritja nuk është shoqëruar me punësim, por në të kundërt e ka rritur punësimin. Për ta bërë sa më të qartë, që rritja ekonomike e vendit është thjeshtë rritje e shifrave të eksportit dhe jo e mirëqenies së vendasve, raporti i BSH nënvizon se shpenzimet konsumatore janë shfaqur të përmbajtura në pjesën e parë të vitit. “Rënia e kredisë konsumatore dhe e remitancave, ngadalësimi i rritjes së pagave, rritja e ulët e importit të mallrave për konsum, niveli i ulët i besimit konsumator dhe rritja e prirjes së individëve për të kursyer, tregojnë për ritme të ulëta të konsumit privat gjatë kësaj periudhe”.
Buxheti
Rritja e të ardhurave për këtë vit tregon qartë ngadalësimin e rritjes ekonomike. Sipas raportit të BSH, të ardhurat fiskale janë rritur me ritme të ulëta historike, prej 3.3 për qind. Sidoqoftë, Fullani vlerësoi uljen e deficit në buxhetin e rishikuar dhe e quajti atë kushtin themelor, për zbatimin e politikës së re monetare. “Banka e Shqipërisë vlerëson si një hap në drejtimin e duhur rishikimin në ulje të deficitit buxhetor dhe të planit të shpenzimeve publike. Garantimi i qëndrueshmërisë fiskale, ulja e primeve të rrezikut të lidhura me të, forcimi i besimit të publikut, si dhe krijimi i hapësirave për një akses më të madh të sektorit privat në tregjet financiare, përbëjnë disa prej elementeve thelbësore që mundësuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, duke shmangur një sterilizim të mundshëm të aksioneve tona, në lidhje me normën e interesit”. Nga fjalia e djeshme e Fullanit, duket qartë se Banka e Shqipërisë ka pritur pikërisht shkurtimet e buxhetit për të bërë uljen e normës bazë të interesit. Fullani thekson se pa shkurtimin e deficitit buxhetor, kishte shumë mundësi që ulja e normës së interesit të kthehet në një aksion pa vlerë.
Kreditimi
Sipas Bankës së Shqipërisë, me gjithë përmirësimin e situatës së likuiditetit dhe rënien e kostove të financimit të aktivitetit, rritja mesatare vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 9 për qind në tremujorin e dytë të vitit. “Gjithsesi, zhvillimet e muajve të fundit përmbajnë nota pozitive, sidomos në tendencat rritëse të ritmit të kredisë, në orientimin më të madh të saj drejt mbështetjes së investimeve dhe në riaktivizimin e aktivitetit kreditues në valutë, për njësi ekonomike të cilat gëzojnë mbrojtje natyrale ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Vëmendje të veçantë, Banka e Shqipërisë do t’i kushtojë edhe ndërmjetësimit në valutë nga sistemi bankar. Gjendja e depozitave në valutë dhe një sërë zhvillimesh të përmendura më sipër krijojnë një shtrat të besueshëm për kanalizimin e tyre në ekonomi me kosto më të ulura. Ky do të jetë edhe një nga drejtimet ku ne do të ndalemi në vazhdimësi në pjesën e mbetur të vitit 2010 e më tej”.