E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, nënë e bir në burg



“E vrava babain pasi ai nuk më jepte pasurinë që më takonte. Kjo është deklarata e 16- vjeçarit, i cili u arrestua bashkë me nënën e tij, Luljeta Zeqaj për vrasjen e 48- vjeçarit Ylli Zeqaj.

A.Zeqaj ka tentuar të lehtësojë disi pozitën e nënës së tij në këtë ngjarje duke pohuar se kishte qenë ai autori i masakrimit me tetë thika të babait të tij. Dje gjykata e Fierit la në burg gruan e akuzuar për vrasjen e ish- bashkëshortit dhe djalin e saj 16- vjeçar. Ky i fundit nuk ishte në sallën e gjykatës pasi vendimi do ti komunikohet sot nga seksioni i të miturve në gjykatën e Vlorës. “Ish- bashkëshortin tim e vrau djali pasi ai nuk i jepte pjesën e shtëpisë dhe të pasurisë që i takonte pas divorcit tonë. Kur u ndamë duhet të ndanim edhe pasurinë dhe të caktonim pjesën e fëmijëve, por ai nuk na dha asgjë”, u shpreh dje në gjykatë Luljeta Zeqaj. Mësohet se 45- vjeçarja nuk kishte marrë avokat dhe gjykata vendosi përfaqësimin e mbrojtjes së caktuar kryesisht. Gruaja nuk ka shfaqur pendese ndërsa gjatë gjithë kohës ia ka adresuar krimin të birit, i cili është nën moshën 18 vjeç. Ligjet për të miturit që kryejnë krime janë më të buta, ndaj 16- vjeçari nuk rrezikon dënim të rëndë. Adoleshenti mësohet të ketë rrëfyer për organin e akuzës edhe njëherë të gjithë skenën që u zhvillua gjatë masakrimit me thikë të babait të tij. Ai, ndryshe nga sa ishte deklaruar pas arrestimit, ka ndryshuar rrjedhën e rrëfimit duke e marrë vetë përsipër krimin. Edhe djali ashtu sikurse nëna e tij ka pohuar për grupin e hetimit se e kishte qëlluar babain e tij me thikë në debat e sipër. “U nxeha keq se ai qëndronte i heshtur kur unë i kërkoja pjesën time të pasurisë. Nuk e kontrollova veten. Më pas gjithçka shkoi keq. Unë doja të tregoja në polici për atë që ndodhi, por mamaja nga frika nuk më la”, është shprehur më tej adoleshenti për krimin e rëndë brenda familjes që ndodhi më 23 korrik në qytetin e Fierit. Luljeta Zeqaj së bashku më të birin e mitur akuzohen për vrasje në rrethana rënduese të 48- vjeçarit Ylli Zeqaj. Policia e gjeti kufomën pas dy ditësh, ndërsa mbrëmjen e së dielës kreu arrestimin e nënë e bir të cilët dyshoheshin për krimin e rëndë. Ndërkohë që dje zhvillohej seanca gjyqësore në ngarkim të gruas 45- vjeçare, në sallën e gjykatës apo ambientet e jashtme të saj nuk është parë asnjë nga të afërmit e saj apo të viktimës. Policia e Fierit u sinjalizua për ngjarjen e rëndë nga banorët e pallatit ku jetonte viktima. Ata nuk e kishin parë prej dy ditësh të hynte dhe dilte nga banesa. Blutë mbërritën në vend dhe pasi hapën derën konstatuan trupin e pajetë të 48- vjeçarit. Ekspertët e mjekësisë ligjore bënë të ditur se viktima ishte qëlluar tetë herë me thikë, çka i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›