Sarandë, zjarri evakuon banorët e një fshati
SARANDE- Regjistrohet zjarri i parë i përmasave të mëdha për këtë sezon veror në rrethin e Sarandës. Flakët nisën të martën në fushën e “Sopikut”, në komunën e Livadhjas. Për shuarjen e tij është dashur edhe ndihma e zjarrfikseve nga rrethet e tjera, si Delvina, Gjirokastra, madje edhe përforcime policore nga “Delta Forcë” e Vlorës. Për rreth 6 orë është luftuar me flakët, pasi u rrezikuan edhe banesa të fshatit dhe për rrjedhojë u desh të bëhej edhe evakuimi i banorëve, kryesisht të moshuar, që jetojnë në këtë fshat. Dëmet në periferi të fshatit ishin të konsiderueshme. Rreth 2 mijë rrënjë ullinj dhe një sipërfaqe e madhe me vreshta u shkrumbua. Këtë fakt e pohoi kryekomunari i Livadhjasë, Irodhi Dalani. Ai i kërkoi policisë të zbardhë ngjarjen dhe zjarrvënësit. Zjarri i së martë u bë shkak për ta analizuar atë në një takim operativ, organizuar nga nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, me drejtues të komunës Livadhja, punonjës të stacionit zjarrfikës, atyre të ndërmarrjes pyje - kullota, të rendit. Shkaqet e zjarrit, nevojat në logjistikë, kanë qenë edhe thelbi i gjithë takimit. Kryetari i komunës Livadhja, Irodhi Dalani, duke e quajtur zonën si vendin ku zjarret janë më të shumta, kërkoi që një nga zjarrfikset të jetë në gadishmëri të kësaj komune. Ai mori përsipër të mbulojë me shpenzimet e vetë komunës kërkesat e zjarrfikses për karburant. sh.d