E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në Has, vret gruan e veten



Një tjetër tragjedi i është shtuar numrit në rritje të krimit brenda familjes.

Burri vrau gruan në sy të tre fëmijëve të mitur, e pasi i mbajti ata peng për tetë orë me gjithë prindërit e tij, vrau dhe veten. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të së martës në fshatin Brenokë të komunës Fajza në rrethin e Hasit.
Sipas policisë së Kukësit, viktima e kësaj ngjarjeje është Pranvera Muslika, 30- vjeçe, e cila është vrarë nga i shoqi, Gëzim Muslika, 33- vjeç në prani të fëmijëve dhe prindërve të tij brenda në banesë. Krimi i rëndë është bërë me pistoletën që mbante pa leje Muslika. Po me të njëtën armë ai ka vrarë dhe veten dje në orën 06:00, pas një nate tensioni, tmerri të fëmijëve dhe negociatave të policisë. Burime të policisë bënë të ditur se autori i vrasjes së gruas nuk kishte pranuar të vetëdorëzohej. Banorë të fshatit sinjalizuan policinë pas krismës së armës dhe britmave për ndihmë brenda në familjen Muslika. Blutë mbërritën në vend dhe rrethuan banesën, por e patën të pamundur të futen brenda saj, për shkak se autori kërcënonte se do të vriste veten. Sipas burimeve, 33- vjeçari dilte herë pas here në derë me pistoletë tek koka, duke paralajmëruar se do të vetëvritej në rast ndërhyrjeje. Frika e ndonjë tragjedie tjetër me fëmijët apo prindërit e tij, ka bërë që policia të presë për më shumë se 8 orë, derisa ka filluar të zbardhë dita. Ata i kanë bërë thirrje autorit herë pas here të dorëzohej, por nuk kanë arritur ta bindin atë. Ndërkohë, që gjatë gjithë natës, fëmijët e mitur, kanë qëndruar në terrorin e kryefamiljarit të armatosur dhe në gjendje të rëndë depresive. Frika e armës ka bërë që ata t’i binden “pengmarrjes” së të atit dhe të mos tentojnë të largohen nga banesa. Rreth orës 06:00 policia ka dëgjuar një të shtënë. Autori i rrethuar i kishte dhënë fund jetës në një nga dhomat e banesës së tij, në sy të fëmijëve dhe prindërve, duke e dramatizuar akoma më shumë situatën. Të afërmit e viktimave deponuan pas ngjarjes se bashkëshortët nuk kishin pasur konflikte. Rreth një muaj më parë, 33- vjeçari ishte kthyer nga policia greke për shkak të mungesës së dokumentave. Prindërit dhe të afërmit e viktimave pohuan se pas kthimit nga ky shtet, ai kishte shfaqur shenja të dukshme depresioni, ishte mbyllur në vetvete dhe nuk fliste me asnjeri. Mësohet se fëmija më i madh i bashkëshortëve është 12- vjec, ndërsa më i vogli vetëm 2 muajsh. Familja ndodhet në kushte të rënda ekonomike. Brenoka është një fshat i vogël, 5 km nga qyteza e Krumës, në një shpat mali, ku jetesa sigurohet me bagëtitë dhe pyllin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›