E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bypass”, Bajko zgjidh vizat dhe kartat e identitetit



Nëse e keni vënë gjithçka në vijë dhe nuk dini se çfarë të bëni, atëherë rrëmbeni telekomandën, ndizni televizorin dhe çojeni te “Bypass”-i. Këtë javë do të flasim pikërisht për vizat, jo për ato që shkruhen nëpër mure, as për ato të pantallonave, por për vizat që na vendosin në pasaporta e na mundësojmë të shohim botën. Do të liberalizohen vizat? Kur do të liberalizohen? Sa të lira do të bëhen? Liberalizimi i vizave do të bëhet vetëm për liberalët, apo edhe për konservatorët? Po ato që nuk i hanë konservat a do mund të marrin viza? Viza shkon më mirë me një pikë apo me tri pika? Pse ambasadat japin viza dhe jo katrorë ose pika? Përgjigjet e disa prej këtyre pyetjeve mund t’i merrni në emisionin e përjavshëm parodiko-satiriko-analitiko-informativ “Bypass”. Emisioni ka marrë përsipër t’i japë përgjigje një personi të quajtur Bourne, me banim në Hollivud, mbi shqetësimin e tij se kur do të pajisen shqiptarët me kartat e identitetit.
Çfarë ngjyre do të ketë karta? Karta do të mbajë identitetin tim, apo unë do të mbajë identitetin e kartës? A mund të porosisim dot një picë pa kartë identiteti? ǒlidhje ka midis kartave të identitetit dhe rritjes së çmimit të naftës? Pas gjithë këtyre përgjigjeve do t’ju prezantojmë një personalitet që pas shumë kërkimeve ka gjetur identitetin e tij të humbur. Një grup xhirimi i “Bypass”-it ka qenë në Kakome dhe gazetari ynë, së bashku me disa rrodhiqe, na solli edhe mjaft përgjigje të pyetjeve si p.sh.: Ku bie Nivica? Kush e ka plazhin më të bukur: Nivica, apo Ibica?
Nëse toka i takon atij që e punon, gjeni kujt i takon toka e papunuar? ǒlidhje ka midis Kakomesë, Mero Bazes dhe Plakut Mere? Në një fshat turistik ka më shumë turistë, apo fshatarë? Nëse doni t’i mësoni këto një orë e më parë, ndiqni “Bypass”-in. Në emisionin e sotëm gjithashtu do të ndiqni: Ushtarët grekë falënderojnë qeverinë shqiptare për varrezat, ndërsa lobi grek në Amerikë sponsorizon një faqe interneti për çamët. Miratohet buxheti, opozita kundërshton ashpër disa zëra të veçantë që kanë të bëjnë me ambientin dhe Parlamentin. Flasin për “Bypass”-in Raimonda Stefa dhe Arben Malaj… Një investigues privat sjell në redaksinë tonë kriteret që duhet të mbushin kandidatët për deputetë të PS-së, ndërsa një personazh zbulon se ato janë të vjedhura. Këtë javë qeveria shpalli nismën “Një shtëpi, një kompjuter”. Në “Bypass”-in e sotëm ju do të merrni përgjigje se sa kompjuterë do të përfitojnë ata që kanë më shumë se një shtëpi? Njerëzit do të shkojnë t’i marrin kompjuterët në qeveri, apo do t’ua shpërndajë qeveria shtëpi më shtëpi? A mund ta parashikojë kompjuteri se kur mund të ikin dritat, sa orë do të zgjasin, kur do të bjerë shi etj?
Ndiqni sonte emisionin e përjavshëm satiriko-politiko-parodiko-informativ, “Bypass”, për të mësuar mbi lajmet që lamë pas.
Redaksia e “Bypass”-it i uron ditëlindjen Kushtetutës, Kongresit të Manastirit, Pavarësisë, Çlirimit, Natës së Bardhë, Natës pa Hënë dhe me Yje, Yjeve të Netëve të Gjata dhe Kur Zbardhi një Ditë…

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›