E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byroja e Kuvendit asnjë masë për Tahirin

18/10/2011  Mbledhja e djeshme

Në mbledhjen e djeshme Byroja e Kuvendit ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e kryeministrit Berisha për 2 javë nga punimet e Kuvendit. Kërkesa e socialistëve u bë për shkak të akuzave të bëra nga kreu i mazhorancës ndaj deputetit të PS-së Sajmir Tahiri në seancën plenare të javës së kaluar. Zyra e shtypit e Kuvendit në njoftimin e saj bën me dije se nuk mori asnjë masë ndëshkimore ndaj Tahirit, i cili është larg etikës parlamentare. “Kërkesën e 9 deputetëve të PS-së Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE-së, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS-së Sajmir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar ka shkelur nenet 64 dhe 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare. Byroja i kërkoi Kryetares së Kuvendit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si zoti Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye”, - thekson njoftimi i Kuvendit. Byroja e Kuvendit u mblodh dje për t’u njohur e diskutuar me projektbuxhetin e Kuvendit për vitin e ardhshëm. Nga ana e saj Topalli kërkoi që Sekretariati për Buxhetin të shqyrtojë gjithashtu buxhetin para miratimit të tij në qeveri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›