E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjeqar, dy nipërit vranë xhaxhain për hasmëri

18/10/2011  Zbardhet vrasja e 65-vjeçarit. Të ndaluarit dyshonin se u vrau vëllain para 3 vjetësh

FIER- Zbardhet vrasja e 65-vjeçarit Ahmet Feleqi, mbrëmjen e të shtunës në fshatin Ngjeqar të rrethit të Fierit. Policia e këtij qyteti ka bërë të mundur arrestimin e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Kështu blutë konfirmojnë se dy vëllezërit, 19-vjeçari Sami Safet Feleqi dhe 21-vjeçari Mustafa Safet Feleqi u identifikuan si vrasës të xhaxhait të tyre Ahmet Feleqi. Policia konfirmon se dy nipërit e viktimës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth orës 19.30, të së shtunës vëllezërit Feleqi vranë me mjete të forta 65-vjeçarin Ahmet Mehmet Feleqi, ndërsa ishte duke punuar në tokat e tij në fshatin Ngjeqar pranë vendit të njohur si Moçalet. Policia mendon se vrasja e Feleqit ka ndodhur për motive hakmarrjeje.

Vrasja

Sipas burimeve të policisë dyshohet që vrasja të ketë ardhur për motive hakmarrjeje, pasi rreth tre vite e gjysmë më parë është vrarë më armë zjarri vëllai i dy të prangosurve, i quajtur Mehmet Feleqi. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, viktima e para tre viteve u gjet në tokën në afërsi të fshatit i vrarë dhe mendohej se u vra për pronësi, por kjo vrasje mbeti pa autor. Mesa duket vetë nipërit e Ahmet Feleqit, kanë dyshuar se ishte xhaxhai i tyre ai që u kishte ekzekutuar vëllain e madh, 32-vjeçar, Mehmet Feleqi. Policia ka vijuar hetimet duke pasur parasysh vrasjen e mëparshme të kësaj familjeje. “Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë shtetasin Ahmet Feleqi, banues në fshatin Ngjeqar, i cili ka qenë duke punuar tek tokat e tij. Nga veprimet e deritanishme hetimore, rezulton se, vrasja e shtetasit Feleqi ka ndodhur për motive hakmarrje. Në vijim janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, ka vijuar në një konferencë për shtyp policia.

Tashmë Prokuroria ka hapur edhe dosjen e vrasjes së mëparshme për të koordinuar edhe të dyja ngjarjet, të cilat mesa duket për një sipërfaqe toke, mori dy jetë nga e njëjta familje.

Ngjarja para 3 viteve

Mehmet Feleqi u gjend i vrarë me një plumb në sy dhe më pas i masakruar me disa thika në trup në mullirin në pronësi të tij. Policia ngriti dy pista: vrasje nga bashkëfshatarët dhe krim brenda familjes. Pas verifikimit të vendit të ngjarjes dhe pas marrjes së dëshmive të para, policia shoqëroi në komisariatin e Fierit tre persona, banorë të fshatit Ngjeqar. Nga të dhënat e para, grupi ngriti disa pista për autorët e ngjarjes dhe tek dy prej tyre u përqendrua puna kryesore.

“Së pari, dyshojmë për një vrasje të ndodhur për motive të dobëta”, - tha ato ditë një nga pjesëtarët e grupit hetimor. Sipas tij, vrasja dhe më pas masakrimi i Mehmetit mund të ishte bërë nga persona që jetonin në këtë fshat. Ndërsa pista e dytë ishte ajo e një vrasjeje brenda fisit. Por megjithëse u morën në pyetje të gjithë anëtarët e fisit, nuk pati prova të mjaftueshme për të gjetur autorin. Me të ardhurat që kishin grumbulluar, të gjithë vëllezërit( viktima dhe dy autorët e vrasjes së xhaxhait ) kishin ndërtuar një mulli në fshat, në të cilin bluanin drithërat të gjithë banorët e zonës. Me paratë që dilnin prej këtij aktiviteti, mbahej e gjithë familja Feleqi. Pas arrestimit të vëllezërve Feleqi, dje në Ngjeqar ka rënë heshtja. Të gjithë banorët e njohin nga afër të dyja ngjarjet, pasi i kanë përjetuar aty, në këtë fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›