Byroja e Kuvendit diskuton për projekt-buxhetin e vitit 2012
Byroja e Kuvendit rrëzon kërkesën e PS: Saimir Tahiri provokoi seancën plenare
Byroja e Kuvendit u mblodh dje për t’u njohur e diskutuar me projekt-buxhetin e Parlamentit për vitin e ardhshëm 2012. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi që, Sekretariati për buxhetin të shqyrtojë projekt-buxhetin para miratimit të tij në Qeveri. Sa i përket kërkesës së 9 deputetëve të PS, Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. “Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS-së, Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare”- thuhet në njoftimin për shtyp të parlamentit. Më tej, byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është shprehur në Byro se “ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e parlamentit”.
...