E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i shoqatës “2 Prilli”: “Z. President, ke fyer shqiptarizmin!”

18-10-2011 / Gazeta 55

Akuzat për gegërishten, shqiptarët e krahasojnë Bamir Topin me Enver Hoxhën

Krahas luftës së klasave, Enver Hoxha përndoqi në mënyrë sistematike përkatësinë krahinore dhe atë linguale të qindra e mijëra shqiptarëve. Përmes fazave ekspansioniste dhe kolonialiste ndaj gjuhës shqipe, e cila si çdo gjuhë në vende të ndryshme të botës karakterizohet nga dialekte dhe nëndialekte, në Shqipëri diktatura komuniste sundoi toskërishten mbi gegërishten. Sidoqoftë kjo e fundit mbijetoi, por asnjëherë nuk i shpëtoi paragjykimeve dhe diskriminimeve të mendjengushtëve dhe vizionarëve dritëshkurtër. Një fushatë e tillë me qëllime ekspansioni gjuhësor ndaj gegërishtes, po ushtrohet nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili dy ditë më parë në djepin e shqiptarisë, në Shkodër, tha se “kjo gjuhë nuk është gjuhë shqipe”. Si të mos mjaftonte ky moment fatalist për titullarin e Presidencës, z.Topi vazhdoi serinë e akuzave si ndaj pikëpamjes gjuhësore të Shkodrës, ashtu edhe gjuhës së folur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Dhe me të drejtë akuzat ndaj tij se po përçon frymë enverizmi, janë më se të drejta, pasi Presidenti i Republikës s’respekton përgjegjësitë e tij kushtetuese, atë të qenurit “simboli i unitetit politik, krahinor dhe gjuhësor të shtetit”.   

Shoqata “2 prilli”
Shoqata “2 Prilli” reagoi dje ndaj deklaratave të Presidentit Bamir Topi në Shkodër.
“Si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues të shpirtit liridashës, tolerant e antikomunist të këtij qyteti, shprehim revoltën tonë të thellë për fyerjen e pafalshme dhe intolerancën e Kryetarit të Shtetit Topi, kundër Shkodrës e gjuhës tonë. Askush në historinë tonë kombëtare nuk e ka përdhosur kaq fort veten, duke thënë se gjuha e Shkodrës nuk është shqip” - thuhet në deklaratën e shoqatës. Sipas këtij reagimi thuhet se as Enver Hoxha nuk e bënte me kaq banalitet.
Reagimi i plotë
Ka vite që ju Zotni na fyeni ne si demokrat e antikomunist.
Na ke fyer kur dekorove ato që dënuan me pushkatim gjatë komunizmit, fëmijët tanë.
Na ke lënduar kur nuk firmose ligjin e lustracionit.
Na ke plagosur shpirtin kur dekretove hetues e spiunë të sigurimit në majë të drejtësisë.
Na tradhtove kur të pamë si votues me 8 Maj!
Na vrave mbështetjen e votën që Shkodra të dha për t’u ngjit në majë të Presidencës.
Por, ne jemi shpirt demokrat e nuk folëm. Është e drejta jote edhe me tradhëtue.
Na ke lanë pa fjalë kur lexuam se paske pas frikë nga gurët imagjinarë për të dekretuar ligjin. Po çfarë burri je ti, mor Zotni?!
Sot, ke fyer shqiptarizmin.
Sot, ju Zotni nuk jeni më Presidenti ynë.
Në emër të Shkodrës antikomuniste, të dijes e flamurit,
në emër të atyre “burrave të dheut”
që për jetë e nderë t’Atdheut
kanë ra n’luftë si shqipe t’lehta
kanë shkri gja e shpija t’veta”
kërkoji falje Shkodrës, z.Topi,
e mos “kargatis e bamun lodër,
barku sot ju rri si kodër”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›