Buxheti 2012, më i madhi në historinë e vendit - qeveria përcakton objektivat e vitit të ardhshëm
Kryeministri Berisha garanton se nuk do të ketë kursime buxhetore të shpenzimeve për investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe të rritjes së ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Sipas kryeministrit, këto zëra financiarë janë të domosdoshme për programin Qeverisës 2011-2012
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se Qeveria është në fazën përfundimtare të miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se pavarësisht nga rrethanat e krizës së thellë në rajon dhe botë, sërish ky do jetë buxheti më i madh në historinë e vendit. Berisha theksoi se buxheti do të mbështesë të gjitha reformat sociale, do t’i konsolidojë ato dhe do të bëjë të mundur edhe përfundimin e të gjitha akseve rrugore që do të transformojnë Shqipërinë. “Jemi në fazën pothuajse përfundimtare të miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm në qeveri. Pavarësisht nga rrethanat e krizës së thellë në Rajon, Europë dhe Botë, përsëri ky do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit. Duke theksuar se do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, kjo nuk do të thotë, se nuk do të ketë shkurtime buxhetore të shpenzimeve të tjera, përveç investimeve në infrastrukturë, si një kusht i domosdoshëm për të realizuar programin tonë”- u shpreh Berisha. Ai garantoi se ligjin e ardhshëm buxhetor, përparësi do të kenë rritja e rrogave, pensioneve dhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë. “Në këtë buxhet do të jetë përparësore rritja e rrogave dhe e pensioneve. Përsëri ne i qëndrojmë kësaj politike, si një vendosmëri për të investuar në burimet njerëzore në mënyrë të konstante të vazhdueshme, por edhe si një vendosmëri për të ruajtur fytyrën njerëzore të kësaj mazhorance para 520 mijë pensionisteve shqiptare dhe 100 mijë qytetarëve shqiptare në ndihmë ekonomike. Ky është kusht i domosdoshëm, ne jemi zotuar për këtë dhe mbi bazën e këtij zotimi, ne do të parashikojmë sërish rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, me programin e përvitshëm, kjo është bërë tani një rregull dhe kjo ka pasur një impakt shumë pozitiv në zhvillimin e vendit në tërësi” - tha kryeministri. Ai vuri në dukje se Shqipëria shkon e sigurtë drejt arritjes së standardeve të vendeve të zhvilluara. “E vërteta është se në mënyrë konstante, të vazhdueshme, ne shkojmë drejt arritjes së standardeve të vendeve të zhvilluara. Këto rezultate janë evidente si në fushën e investime, në fushën e shëndetësisë, arsimit. Është një lajm jashtëzakonisht pozitiv fakti, se për herë të parë në historinë e këtij vendi, mortaliteti infantil bëhet një shifror. Mortaliteti amtarë është nga më të ulëtat në Europë dhe në Botë, dëshmi e një sistemi që kujdeset dhe jo e një spontaniteti. Po kështu, të dhënat paraprake në sistemin e arsimit janë shumë inkurajuese, pra buxheti do të mbështesë të gjitha reformat sociale, dhe do ti konsolidojë ato. Buxheti do të mbështesë përfundimin e të gjitha akseve të mëdha rrugore, akse këto që do të transformojnë Shqipërinë” - tha ai. Kryeministrit vuri në dukje se buxheti do të mbështesë edhe përfundimin e të gjitha akseve të mëdha rrugore. “Me përfundimin vitin e ardhshëm të autostradës Levan-Tepelenë, qytetet si Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, do të kapen nga Tirana të gjitha në më pak se dy orë dhe Saranda në dy orë e gjysmë”. Berisha bëri të ditur se “buxheti do të mbështesë edhe autostradën Tiranë-Elbasan dhe Boshtin e Jugut. Do mbështesë përveç Levan-Tepelenë edhe By-Passin e Fierit që u shty sepse studimet dëshmuan që Apollonia shtrihet dhe në fushë dhe s’mund të ndërtohej mbi një trashëgimi botërore. Për këtë e bëmë nga e para projektin e By-Passit dhe financimin e tij. Para 3 javësh financuesit e projektit të parë kanë shqyrtuar edhe projektin e dytë. “Edhe vitin e ardhshëm buxheti do mbështesë të gjitha këtë infrastrukturë. Progresin e mëtejshëm të rrugës së Arbrit në të dy krahët. Buxheti do mbështesë përfundimin e tunelit Tiranë-Elbasan. Ecuria e punimeve në këtë aks është e mbarë, puna intensive vijon. Do mbështesë By-Pasin e Shkodrës dhe përfundimin e Hanit të Hotit-Shkodër”- tha Berisha.
Sipas tij, Shqipëria do ta presë 100 vjetorin me një rrjet rrugor që askush se ka imagjinuar. “Jam i bindur që ky vend e meriton plotësisht këtë. Kudo që shkoj, Shqipëria më duket si një “bukuroshe e fjetur” që pret ta zbuluar”. Në 100 vjetorin e saj Shqipëria do ketë një infrastrukturë rrugore tërësisht të re” - tha Berisha. “Një tjetër pikë e buxhetit është financimi i të gjitha projekteve për Shqipërinë dixhitale, që është motoja dhe zotimi ynë. Nëse mandatin e kaluar shtrimë internetin në çdo shkollë, tani do e kalojmë në çdo klasë, falë teknologjisë së re” - tha kryeministri. Sipas tij, do financohen të 125 projektet për të konsoliduar moshën dixhitale të vendit. Gjithashtu shtoi Kryeministri, se do investohet në 2 projektet e mëdha kombëtare në projektin e ullirit dhe projektin e arrorëve. Berisha theksoi se, buxheti do mbështesë turizmin, por sipas tij “duhet të jemi të qartë se kjo që bëjmë për infrastrukturën është mbështetja më e fuqishme që aktualisht i bëjmë atij”. “Do bëjmë masterplanin për gjithë zonën bregdetare. Kriza është e thellë, por besoj se ekonomia shqiptare me dinamizmin që e karakterizon, do ia dalë të ruajë plotësisht kursin makroekonomik, stabilitetin makroekonomik”.