SHBA: Mbështesim dialogun politik, jo retorikës përçarëse

I ngarkuari me Punë i SHBA-së në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Vjenë, Gary Robbins, përshëndet ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
SHBA ka deklaruar dhe njëherë mbështetjen e pakufishme për vendin tonë në përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deklarata është bërë nga i ngarkuari më punë në misionin e SHBA në OSBE, Gary Robbins, në përgjigje të fjalimit të zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në sesionin e Këshillit të përhershëm të OSBE më 14 tetor. Robbins duke falënderuar ministrin Haxhinasto për fjalën e tij, vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes SHBA dhe Shqipërisë si në Tiranë, në Uashington në Vjenë e gjithandej. “SHBA-në e lidh me Shqipërinë një marrëdhënie e shkëlqyer- në Tiranë, Uashington, Vjenë dhe kudo. Ne vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe ne shikojmë përpara, për vazhdimin e tij në të ardhmen. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit në thellimin e demokracisë. Zoti zv/Kryeministër, ju mund të llogarisni mbështetjen tonë për përmbushjen e aspiratave të vendit tuaj për integrimin në BE”- tha ai. Robbins theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në dy dekadat e fundit në forcimin e demokracisë. Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, zyrtari i lartë amerikan tha se raporti përgjithësisht pozitiv i ODIHR lidhur me këto zgjedhje dëshmon progresin e Shqipërisë, por raporti bën dhe disa vërejtje në këtë proces. Ndaj SHBA, inkurajon implementim të plotë të rekomandimeve të raportit të ODIHR, veçanërisht të amendamenteve për Kodin Elektoral në mënyrë që të adresohet vlefshmëria e votave në kutitë e gabuara, adoptimi i procedurave për përfshirjen e këtyre votave në tabelën e rezultateve etj. “OSBE-ja mund të shërbejë si një bazë për të lehtësuar dialogun për praktikat më të mira me Partnerët tanë Mesdhetarë, dhe ky dialog duhet të na mundësojë neve si organizatë të forcojmë angazhimin tonë për të tri dimensionet e OSCE-së. Raporti përgjithësisht pozitiv i ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 Majit është dëshmi e progresit të Shqipërisë, por raporti bën edhe disa vërejtje për këtë proces. Ne inkurajojmë përmbushjen e plotë të rekomandimeve të Raportit të OSBE-së, veçanërisht vërejtjet për Kodin Zgjedhor, me qëllim që të mos adresohet vota e vlefshme në kutinë e gabuar, që të adoptohen procedurat për përfshirjen e votave të tilla në tabelën e rezultateve dhe, zhvillimi i procedurave të vazhdojë në rastet e mospërputhjeve, kur numri i votave të hedhura e kapërcen numrin e votave të nënshkruara në listën e votimit. Kodi Elektoral duhet gjithashtu të përfitojë nga rishikimi i votave përfundimtare të kontestuara dhe të procedurave për kontestimin e votave”- deklaroi Robbins. Gjithashtu në mesazhin e tij z. Robbins inkurajoi partitë politike në Shqipëri të përmbahen nga retorika partiake përçarëse, në favor të dialogut praktik e politik për të rritur besimin te populli shqiptar në sistemin e tyre demokratik. “Ne gjithashtu inkurajojmë të gjitha partitë politike që të të heqin dorë nga retorikat politike ndarëse në favor të dialogut konkret, politik, për të rritur besimin e popullit shqiptar në sistemin e tyre demokratik”- tha Robbins. Më tej, Robbins vlerësoi dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Lidhur me Kosovën, zyrtari i lartë amerikan në OSBE theksoi se SHBA mbështet një Kosovë të pavarur, demokratike multi-etnike dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE për të gjetur zgjidhje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. “Dhuna e kohëve të fundit është e papranueshme", theksoi më tej Robbins.
...