E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byroja e Kuvendit miraton raportin vjetor të punimeve për vitin 2010

TIRANË - Byroja e Kuvendit miratoi sot raportin vjetor të punimeve të Kuvendit për vitin 2010.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi administratën për punën që është bërë gjatë vitit të kaluar për krijimin e ambienteve të reja të zyrave të deputetëve me të gjitha kushtet dhe komoditetin që atyre u nevojitet.

"Ky projekt do të vendosë standardet e larta të punës së Kuvendit",- tha kryeparlamentarja.

Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, theksohet në raport, u afrua një standard i ri për pajisjen e të gjithë deputetëve me zyra, kompjuter, internet 24 orë, printer, fotokopje etj.

Anëtarët e Byrosë së Kuvendit vlerësuan punën e administratës së Kuvendit për vitin 2010 duke vënë theksin tek rritja e transparencës, forcimi i rolit të Kuvendit, përmirësimi i kushteve për deputetët, diplomacia parlamentare e cila ka pasur si objektiv të saj liberalizimin e vizave etj.

Byroja e Kuvendit miratoi caktimin e një fondi për blerjen e veprave të artit dhe kthimin e tyre në pasuri të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe miratoi projektvendimin për ngritjen e një grupi pune për rinumërimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›