E Diel, 1 Nëntor 2026

Vilas Boas drejt Çelsit, Portos i shkojnë 45 mln euro

ANGLI- Andres Vilas Boas duket se do të jetë trajneri i ri i Çelsit. Sipas të përditshmes portugeze “Record”, presidenti Roman Abramoviç ka pranuar të derdhë në arkat e klubit të Portos shumën e 15 milionë eurove, që ishte si klauzolë për lirimin e trajnerit. Në realitet, operacioni parashikon edhe blerjen e kolumbianit Falkao, pasi blutë e Londrës kanë ndërmend t’i japin skuadrës kampione të Portugalisë një shumë prej 45 milionë eurosh. Interi ndërkohë qëndron në pritje të asaj çfarë do të ndodhë. Nëse operacioni do të dështojë, Morati do të rikthehej në betejë për trajnerin 33 vjeçar. Presidenti i Portos Pinto de Kosta, duket i dorëzuar për mbajtjen e trajneri të tij, por pretendon pagimin e të gjithë klauzolës. “Nëse dikush paguan 15 milionë euro dhe Vilas Boas ka qejf të shkojë, nuk mund të bëjmë asgjë, është e parashikuar në kontratë”, tha kreu i “Dragonjve” në kanalin Sport TV. Përpos kësaj, Porto ka këmbëngulur se nuk ka marrë ende asnjë ofertë nga ndonjë klub. Ndërkaq, oferta e Abramoviç duket e parefuzueshme dhe drejtuesit e Çelsit kanë bërë të ditur se brenda pak ditësh do të zbulojnë emrin e trajnerit të ri. Në krahun tjetër, Morati jep 15 milionë euro, por pretendon edhe kartonin e mbrojtësit Fuçile.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›