E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: Abuzuan, gjobë 800 mijë lekë 3 shkollave në komunën Ana e Malit

SHKODER CEZ ka faturuar shumën prej 800 mijë lekësh si shpenzim dhe gjobë për tri shkolla në komunën Ana e Malit. Bëhet fjalë për faturën e muajit dhjetor, kur sipas kompanisë është abuzuar me një sasi prej 54 mijë kilovat/orë të pamatura. Tri shkolla, dy 9-vjeçare dhe një e mesme, sipas CEZ gjatë muajit të shkuar kanë shpenzuar një sasi të konsiderueshme energjie, ndërsa pjesën tjetër e kanë përfituar në mënyrë abuzive, çka do të thotë që për të tria duhet të paguhet shuma prej 800 mijë lekësh. Ky veprim administrativ nga ana e CEZ-it ka ardhur pasi nga kontrollet që inspektorët e kompanisë kanë ushtruar, ka rezultuar që në matësit e energjisë nuk janë matur 54 mijë kë/orë të pamatura dhe të palikuiduara. Ndërkohë që në lidhje me këtë veprim të CEZ-it, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të kësaj komune, Xhevat Molla, i cili krahas shqetësimit të tij si drejtues i një njësie vendore, ka pohuar faktin që tashmë ky problem është dërguar në Gjykatë. Për këto masa nuk është vënë asnjeri në dijeni, as drejtuesit e shkollave dhe asnjë person nga komuna. Megjithëse ne u munduam të mësonin diçka më shumë apo të marrim vesh se çfarë ka ndodhur, këto të fundit nuk kanë pranuar të na japin asnjë informacion, ka pohuar Molla. Sipas tij, komuna i ka shlyer të gjitha detyrimet në lidhje me konsumin e energjisë nëpër shkolla. Nga sa kemi arritur të marrin vesh në rrugë të tjera, përgjigja e specialistëve ka qenë se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme te sahatet drejtorët e shkollave. Kjo është tejet absurde, pasi faturat për konsumimin e energjisë të shkollave paguhen nga njësitë vendore, e në rastin konkret nga komuna Ana e Malit, tha kryekomunari. Ai përmendi se në shkollën e mesme, në Oblikë, matësi i energjisë elektrike ndodhet brenda në kabinën që është në pronësi të CEZ-it. Nga ana e kompanisë deklarohet se abuzimi ka ardhur nga drejtorët e shkollave, pasi është ndërhyrë në matës. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›