E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet një qese me hashash në një klasë të Liceut Artistik

TIRANE – Një qese me bimë narkotike është gjetur në ambientet e klasës së shtatë të shkollën artistike Jordan Misja në Tiranë. Policia ka nisur procedim penal ndaj dy nxënësve, të cilët dyshohet se e kanë futur qesen me hashash në ambientet e brendshme të shkollës. Sipas burimeve nga Policia, bima narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa, është gjetur në një qese patatinash, e futur poshtë një banke në klasën ku zhvillonin mësim nxënësit e klasës së shtatë. Pas rreth 10 ditësh hetimi, oficerët e Antidrogës të Tiranës kanë zbuluar se qesja me hashash u përkiste nxënësve Ahmet Gj., 12 vjeç dhe Julian J., 14 vjeç, njëri nxënës i klasës së gjashtë dhe tjetri i klasës së tetë. Sipas burimeve nga Policia, pjesa e gjetur e bimës narkotike ishte mbetje pas konsumimit dhe dy nxënësit e kanë futur në një klasë tjetër për të humbur gjurmë. Qesja e patatinave është gjetur rreth orës 12:30 të së hënës që kaloi nga pastruesja e shkollës, e cila menjëherë ka lajmëruar një prej mësuesve të Liceut. Për incidentin janë lajmëruar edhe forcat e policisë, të cilët kanë sekuestruar qesen me bimën e dyshuar me një sasi prej 1.6 gramësh, e cila, pas ekzaminimeve të nevojshme, ka rezultuar të jetë mbetje e bimës narkotike Cannabis sativa. Incidenti është mbajtur sekret nga stafi i mësuesve të shkollës dhe nga policia për rreth 10 ditë, në mënyrë që me anë të hetimit me metoda speciale, policia të zbulonte personat që kishin futur drogën në shkollë. Pasi janë zbuluar dy nxënësit e dyshuar që kishin konsumuar hashashin dhe më pas kanë fshehur mbetjet e tij, ata janë shoqëruar për tu marrë në pyetje në prani të prindërve dhe të një psikologeje. Sipas burimeve, mësohet se dy nxënësit e mitur e kanë mohuar të jenë autorë të këtij incidenti, megjithatë Policia tha se ka prova të mjaftueshme që i implikojnë ata, si dhe disa dëshmi nga nxënës të tjerë. Prej disa ditësh ka rifilluar programi i financuar nga Ambasada Amerikane Edukimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme. Ky program është organizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me specialistët e ICITAP-it, të cilët bëjnë takime me nxënësit nëpër shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit. Liceu Artistik ku është gjetur qesja me hashash ende nuk ishte vizituar nga specialistët e Policisë që zhvillojnë programin, pasi për të ishte përcaktuar një datë e mëvonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›