Krujë, e la pa drita, vret hajdutin

Viktima Shpëtim Shehu
I zoti i shtëpisë qëllon 38-vjeçarin, i vodhi kabllon elektrik
Vret hajdutin që për herë të tretë po i vidhte kabllon përcj-ellës të energjisë. Një 38-vjeçar është qëlluar tri herë me kallashnikov, duke mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e së premtes, por ai ndërroi jetë pak pasi kishte mbërritur në Spitalin Ushtarak. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës, viktima është Shpëtim Shehu, nga qyteti i Fushë-Krujës. Ai është qëlluar nga 41-vjeçari Kujtim Lama, nga lagjja Berbera e Krujës, aty ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë. Rreth orës 23:00 të së enjtes, viktima ka këputur telat e korrentit, që furnizonin me energji banesën e autorit, duke tentuar vjedhjen e tyre. Me tu fikur dritat, menjëherë nga banesa e tij ka dalë Kujtim Lama, i cili ka vënë re grabitësin e linjës. Ai ka marrë një automatik dhe me të ka qëlluar menjëherë në drejtim të personit të paidentifikuar prej tij. Tre prej plumbave kanë marrë në trup grabitësin, duke e lënë të gjakosur në vend. Pas ngjarjes, Kujtim Lama ka telefonuar policinë e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke e arrestuar të zotin e shtëpisë nga u qëllua, ndërsa Shpëtim Shehu është dërguar në spitalin e Krujës e më pas në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra. Aty ka gjetur vdekjen pak orë më vonë. Policia e Krujës ka sekuestruar edhe armën e krimit, ndërsa ndaj Kujtim Lamës ka ngritur akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, është i treti rast që linja elektrike vidhet, duke prekur direkt banesën e Kujtim Lamës. Herën e fundit, duke qenë se shtëpia e Lamës ndodhet në lartësinë e një kodrine, pas kalasë, ai me të parë që iu ndërpre energjia, ka dalë jashtë dhe ka pikasur që lagjja kishte drita. Menjëherë ai është nisur në drejtim të shtyllës, duke parë që teli po tërhiqej nga dikush dhe më të vënë re grabitësin, ai ka qëlluar mbi të.
Burime të Policisë së Krujës bëjnë të ditur se Kujtim Lama ka pranuar ngjarjen para grupit hetimor. Ai ka treguar edhe shkaqet që e shtynë deri në këtë veprim ekstrem. Ka tri ditë që bashkëshortja ime ka sjellë në jetë një vajzë. Ndërsa isha në shtëpi dhe fëmija po qante, mu fikën dritat. Dola në derë dhe vura re që e gjithë zona kishte drita, vetëm shtëpia ime dhe e vëllait nuk kishim energji. Dëgjova kërcitje të telit nëpër gurë dhe vura re që atë po e tërhiqte dikush. Mora armën dhe e ndoqa nga pas telin e korrentit dhe pranë shtyllës pashë një person që po e tërhiqte. Nga frika se ishte i armatosur dhe i shoqëruar nga të tjerë, kam qëlluar me kallashnikov për ta trembur, duke qëlluar në ajër. Por duke qenë se automatiku nuk kishte qytën, pasi ia kisha hequr, nuk munda ta mbaja drejtimin e për pasojë plumbat kapën grabitësin. I ndodhur para kësaj situate kam njoftuar menjëherë policinë e Krujës, e cila ka ardhur shumë shpejt. Ndërsa jam përpjekur për ti dhënë edhe ndihmën e shpëtimit, për ta dërguar atë në spital, ka rrëfyer i arrestuari. Në cilësinë e provës materiale, Kujtim Lamës iu bllokua një automatik, model 56, së bashku me një krehër pa fishekë.
Policia: Gjetëm gërshërë dhe telin e grabitur
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës mësohet se viktimës i është gjetur edhe një gërshërë prerëse, e përdorur për të këputur telat e korrentit, doreza plastike dhe një sasi teli korrenti që viktima e kishte vjedhur më përpara. Shpëtim Shehu nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm. Ndërsa autori punonte në gurore, gjithashtu pa probleme me Drejtësinë.
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI