CEZ: Do të ulim humbjet e OSSH-së dhe s’do të shkurtojmë punonjësit
Synimi kryesor i pronarëve të rinj të OSSH-së, çekëve CEZ, është që të rrisin investimet me qëllim uljen e humbjeve në rrjet dhe rritjen e nivelit të arkëtimeve. Këto ambicie të tyre janë bërë publike dje në një takim që drejtues të kompanisë çeke CEZ, pronarit të ri të OSSH-së, kanë zhvilluar dje me gazetarët. Por nga ana tjetër, ata tani për tani nuk kanë në planet e tyre afatshkurtra të shkurtojnë numrin e punonjësve. Drejtuesit e kompanisë CEZ kanë bërë të ditur se deri tani nuk kanë një plan për shkurtimin e numrit të punonjësve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, por sipas tyre, gjithçka do të vendoset në konsultim edhe me sindikatat. “Ne do të analizojmë situatën dhe gjendjen e kompanisë gjatë muajve në vazhdim. Rezultatet e kësaj analize do t’ua bëjmë të ditur punonjësve dhe më pas do të diskutojmë me sindikatat”, - tha Pleskac.
Drejtuesit e saj kanë prezantuar planet për të ardhmen e sektorit të shpërndarjes së energjisë në vendin tonë, i cili do t’u nënshtrohet investimeve të konsiderueshme, në përpjekje për të përmirësuar dy treguesit e mësipërm. “Do të përpiqemi që të humbim nivelin e humbjeve teknike dhe jo teknike. Do të punojmë në bashkëpunim me punëtorët tanë dhe konsumatorët. Do të hartojmë një program për uljen e humbjeve, duke sjellë edhe eksperiencën tonë në vendet e tjera. Situatat do të analizohet edhe për sa u përket arkëtimeve. Ka disa mënyra për rritjen e arkëtimeve që kanë të bëjnë me çështje teknike dhe me organizimin e brendshëm të OSSH-së. Planet më të detajuara do t’i bëjmë publike në shtator ose tetor”, - u shpreh Tomas Pleskac, përfaqësues i CEZ. Drejtuesit e kompanisë çeke CEZ kanë bërë të ditur se do të aplikojnë pranë Entit Rregullator të Energjisë për tarifat e reja për vitin e ardhshëm. Ata janë shprehur se do t’i paraqesin ERE-s argumentet e tyre për rritjen e çmimit dhe më pas i takon këtij institucioni që të vendosë.