E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkaktimi i vetëvrasjes; Çoi bashkëshorten në vetëflijim, mbërrin në gjykatë dosja për Hasën



Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj 44-vjeçarit Besnik Hasa, i akuzuar për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”. Në dosjen hetimore të prokurorisë bëhet e ditur se i pandehuri Hasa, i arrestuar më 7 janar të këtij viti, ka çuar drejt vetëflijimit bashkëshorten e tij, Elisabeta Hasa, nënë e tre fëmijëve. Nga hetimet e kryera nga prokuroria ka rezultuar se 44-vjeçari për disa muaj me radhë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, 27 vjeçe, pasi ishte bërë xheloz ndaj saj. Për këtë shkak mësohet se i pandehuri konsumonte pije alkoolike, si dhe e godiste viktimën me grushte e shpulla. Sipas hetimeve, një ditë para krimit i pandehuri ishte kthyer në banesë rreth orës 22:30, ku pasi ka darkuar me familjen është shtrirë për të fjetur. Për shkak se nuk kishte pirë ilaçet e gjumit, ai ishte ngritur dhe më pas kishte nisur të debatonte me bashkëshorten e tij. Sipas hetimeve, mësohet se në debat e sipër ai i ka dhënë litarin e djepit, duke i thënë që të varte veten. Mësohet se 27-vjeçarja ka marrë litarin dhe më pas është varur në dritaren e dhomës së gjumit. Çështja në ngarkim të 44-vjeçarit do të shqyrtohet nga ana e gjyqtarit Petrit Çomo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›