E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma Amerikane çel Panairin e Punës, ofrohen 113 vende të lira



Dhoma Amerikane ka filluar përgatitjet për edicionin e nëntë të Panairit të Punës. Ky aktivitet është unik për llojin e vet dhe ka sjellë një risi në tregun e punës. Të rinjtë profesionistë apo ata që duan të bëjnë karrierë, një herë në vit kanë mundësinë të përballen me kompanitë më prestigjioze në vend dhe të konkurrojnë për pozicionin e punës, duke ndryshuar mentalitetin se në Shqipëri puna mund të gjendet vetëm nëpërmjet miqve. Panairi i këtij viti merr një vlerë të veçantë, pasi është duke demonstruar një trend ndryshe nga ai i shumëdiskutuar dhe që ka lidhje me krizën ekonomike dhe efektet e saj. Panairi ka reflektuar mundësitë e mëdha që mund të kenë jo vetëm të rinjtë por dhe punonjësit e karrierës për të gjetur pozicione më të mira pune në kompani prestigjioze vendase dhe ndërkombëtare. Në këtë edicion janë në lojë për të gjetur punonjës 18 kompanitë më të njohura në vend nga fusha e telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit, studiove audituese, të cilat kanë hedhur në tregun e punës 113 vende të lira për pozicione si ekonomist, financier, inxhinier, arkitekt, operator teknik dhe agjent shitjeje.

Përballja e punëdhënësve dhe punëmarrësve për gjatë dy ditëve të panairit tregon se cilat janë nevojat e kompanive për punonjës, profesionet më të preferuara dhe sa janë të përgatitur dhe profesional punonjësit për këto vende. Bashkëngjitur deklaratës mund të gjeni listën e kompanive dhe vendet e punës që ato kanë ofruar. Dhoma Amerikane ka krijuar tashme traditën e vet nëpërmjet organizimit të këtij panairi. Çdo vit konkurrojnë rreth 2 mijë kandidatë për rreth 200 vende pune dhe pjesa më e madhe e tyre ruajnë kontaktet me kompanitë ku kanë konkurruar si kandidatë të mundshëm për vendet vakante. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

Eximbank dhe kompani hungareze, mbështetje financiare për disa projekte

Hungaria do të ofrojë mbështetje financiare për një sërë projektesh me prioritet të lartë, nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta kredie me terma koncensionale. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, të mërkurën në Tiranë do të prezantohet Marrëveshja për Krijimin e një Programi Kuadër për Bashkëpunim Financiar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të Hungarisë, e cila ka në thelb mbështetjen financiare të një sërë projektesh me prioritet të lartë, nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta kredie me terma koncensionale. Projektet, të cilat do jenë objekt i zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do të përzgjidhen nga qeveria shqiptare dhe do të realizohen nga eksportues hungarezë.

Përfaqësues të Bankës Hungareze Eksport-Import (Eximbank) dhe të shtatë kompanive hungareze më të suksesshme që operojnë në rajon, do të prezantojnë edhe aktivitetet e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›