E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenët do të ndërtojnë 6 HEC-e mbi lumin Shalë në Shkodër



Një konsorcium slloven do të ndërtojë 6 hidrocentrale të reja mbi lumin Shalë në Shkodër. Sasia e energjisë që të prodhohet prej tyre, parashikohet të shkojë në 530.3 milionë kWh në vit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Genc Ruli, dhe përfaqësuesit e konsorciumit slloven, të përbërë nga shoqëritë “Interenergo Albania” sh.p.k, “Poteza Skupina” d.d and “SGP Pomgrad” d.d kanë nënshkruar dje kontratën për ndërtimin me koncesion të 6 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Shalë në qarkun e Shkodrës, në bazë të kuadrit të ofertave të pakërkuara. Konsorciumi “Interenergo” propozon ndërtimin e 6 hidrocentraleve. Në skemën e paraqitur është vendosur hidrocentrali ekzistues dhe i është garantuar prurja e ujit prej 1 m3/sek dhe sigurohet vazhdueshmëria e punës së tij. Projekti i propozuar nga ky bashkim shoqërish ka kapacitete të konsiderueshme për prodhimin e energjisë, kështu, fuqia totale e instaluar e hidrocentraleve është 127,6 MW, prodhimi vjetor i energjisë elektrike është 530.3 Milion kWh. Afati i ndërtimit është 3 vjet. Fee-ja (është tarifa që duhet t'i paguhet shtetit çdo vit nga koncensionari për ujin) koncesionare që do të thotë energji falas për shtetin është relativisht e lartë, 7% e prodhimit vjetor të energjisë. Për sa i përket ofertës teknike, ofertuesi parashikon të ndërtojë 6 hidrocentraleve me një fuqi totale të instaluar 127,600 kW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 530,350,000 kWh. Hidrocentrali Vajvisht parashikohet të ndërtohet me digë, e cila do të ndërtohet 2 km larg grykëderdhjes të liqenit të Komanit. Diga do të ketë një lartësi 117 m e do të krijohet nga niveli 300 m, që është bjefi i sipërm, dhe kuota 176 metra.

Shëndeti dhe siguria në punë, tani në një sistem të certifikuar

Implementimi i një sistemi të certifikuar të shëndetit dhe sigurisë në punë redukton aksidentet dhe rreziqet. Implementimi i një sistemi të certifikuar të shëndetit dhe sigurisë në punë, në radhë të parë është në të mirën e çdo subjekti që ushtron një biznes në territorin e Republikës së Shqipërisë, në të mirën e shoqërisë dhe ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Aplikimi i sistemeve të certifikuara të menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë duhet të jetë një prioritet absolut, format e futjes së këtij aplikimi janë të ndryshme, por do të ishte shumë përkrahëse të fillohet të mendohet dhe në formën e nxitësve të zhvillimit ekonomik, siç ndodh në disa vende evropiane, ku implementimi i suksesshëm i këtyre sistemeve të menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë përkon me një reduktim të disa taksave për kompanitë e biznesit. Nga përvoja e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian vlen të përmendet Strategjia Komunitare 2007-2012, Rezoluta e Parlamentit Evropian 15 janar 2008 “Mbi Strategjinë Komunitare 2007-2012 për Shëndetin dhe Sigurinë në Pun뒒, Teksti Unik “Reforma e normave ligjore në fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë të legjislacionit italian’’ (Dekreti Legjislativ nr. 81, datë 09.04.2008), si dhe dokumente të tjera ligjore, në të cilat kërkohet implementimi në kompanitë e ndryshme të sistemeve të menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë të certifikuara sipas standardit OHSAS 18001:2007 (Occupational Health and Safety Assessment Series, British Standard), në disa raste dhe në bashkëveprim me udhëzues të institucioneve përkatëse, por gjithmonë bazuar në standardin e mësipërm. Ndërsa në nivel kombëtar është miratuar Strategjia Kombëtare e Shëndetit dhe Sigurisë në punë 2009-2013, nga Këshilli Kombëtar i Punës, pranë Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu, është hartuar draft-ligji ’”Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, bazuar në synimin e realizimit të vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të siguruar kushtet optimale të forcës së punës, në balancë të kushteve të zhvillimit social-ekonomik. Në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, si organizmi i vetëm kombëtar akreditues në Republikën e Shqipërisë, thekson se prioriteti për realizimin e synimeve të sipërshënuara duhet të arrihet me vetëndërgjegjësimin e bizneseve të ndryshme që operojnë në tregun shqiptar. Ky ndërgjegjësim duhet të vijë jo si rrjedhim i rritjes së aktivitetit të inspektimeve në fusha të ndryshme, nga inspektoratet përkatëse, duke mos e anashkaluar të mirat që kjo veprimtari sjell, por duke synuar të rrisë organizimin e skemave të sistemeve të certifikuara të menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë nga vetë kompanitë. Aplikimi i këtyre sistemeve të menaxhimit do të bëjnë të mundur vlerësimin e rreziqeve në punë nga vetë subjektet, duke evidentuar që në fusha të ndryshme rreziqet janë të ndryshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›