Të shtunën gjyqtarët do të vendosin për fatin e Konferencës Gjyqësore
Laureta Rryçi
Gjyqtarët këtë të shtunë do të vendosin për fatin e Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Me gjithë kundërshtitë që solli deklarata e përbashkët e kryetarëve të gjykatave, ky takim është përcaktuar të zhvillohet gjatë kësaj jave. Madje ata që po merren me organizimin tashmë kanë përcaktuar vendin ku do të zhvillohet, rendin e ditës së çështjeve që do të diskutohen dhe personave që do t’u bëhen ftesa për të marrë pjesë në këtë takim, ndryshe nga herët e tjera. Gazeta “Albania” ka kontaktuar me disa nga këta organizatorë dhe zbardh në numrin e sotëm disa prej detajeve të takimit. Zakonisht, në ditët e para të dhjetorit të çdo viti, gjyqtarët mblidheshin për të diskutuar për problemet e Gjyqësorit nën siglën e Konferencës Kombëtare Gjyqësore, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit, gjithçka duket se ka marrë tatëpjetën për shkak të mungesës së bazës ligjore.
Takimi
Pavarësish se ende nuk kemi një ligj të ri të miratuar në Kuvend për funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, sërish gjyqtarët kanë menduar të mblidhen për të gjetur vetë një zgjidhje. Takimi është paracaktuar prej disa javësh që të realizohet ditën e shtunë, pra më 5 dhjetor. Ndërsa detajet e tjera u përcaktuan më vonë nga organizatorët e kësaj konference. Organizatorët kanë zbuluar detajin që takimi, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, do të realizohet te Akademia e Arteve dhe aktiviteti do të nisë në orën 09:30. Për rend të ditës mësohet gjithashtu se janë lënë të njëjtat tema që u vendosën në mbledhjen e kryetarëve, takim që u realizua nga kryetarja e Gjykatës së Lartë vetëm pak kohë më parë. Çështjet kryesore ku dhe do të marrin spunton fjalimet e ndryshme që do të mbahen, do të jenë: Pavarësia e sistemit gjyqësor dhe reforma në pushtetin gjyqësor; rritja e transparencës dhe e besimit të publikut te Drejtësia; mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Pika e tretë, për shkak të situatës së krijuar, pritet të sjellë dhe debate mes anëtarëve, pasi mungesa e një ligji për Konferencën i ka ndarë trupën gjyqësore në dy pjesë. Njëra palë kërkon të gjejë zgjidhje nga vetë gjyqtarët, ndërsa pala tjetër kërkon me ngulm ekzistencën e një ligji të miratuar më parë nga Kuvendi. Ndërsa detaji i fundit që bëjnë publik organizatorët ka të bëjë me të ftuarit që do të jenë në këtë takim. Përveç përfaqësuesve të huaj që merren me reformat në Gjyqësor, prezenca që duket se është e pakonfirmuar është ajo e ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani dhe zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Burime nga organizatorët thonë se ftesat janë bërë për Spahiun dhe Nishanin, mirëpo informacionet qarkullojnë se më shumë e mundur është që ata nuk do të jenë vetë të pranishëm, por do të dërgojnë përfaqësues të tjerë nga dikasteret që përfaqësojnë.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa muaj më parë projektligjin për funksionimin e Konferencës Gjyqësore si antikushtetues. Ndërkohë, projektligji i ri është jo më pak i debatuar mes gjyqtarëve për shkak se ata kërkojnë që zgjedhja e anëtarëve të rinj të KLD-së të shtrihet në të gjitha shkallët e Gjyqësorit. Gjykata Kushtetuese, brenda një muaji, mori në shqyrtim dhe dha verdiktin e saj lidhur me kërkesën Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Ligjit Nr. 9399, dt. 12.05.2005 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare’”. Në këtë mënyrë, kjo gjykatë ka mundur që të dalë në një vendim përfundimtar, duke pranuar si të qëndrueshëm argumentet ligjore, të cilat i paraqiti komuniteti i gjyqtarëve lidhur me këtë çështje. “Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare’”, - thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, një nga arsyet për të cilën Gjykata Kushtetuese u shpejtua në gjykimin e vet ka lidhje me zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe që si objekt kanë Konferencën Gjyqësore. Kjo pasi nëpër rrethe në atë kohë kishin filluar mbledhjet e konferencave gjyqësore rajonale, që sipas planifikimit, duhet të përfundonin me Konferencën Gjyqësore Kombëtare në dhjetor të vitit të kaluar. Për t’i prerë rrugën një procesi të kundërshtuar nga aktorët kryesorë të kësaj fushe, Gjykata Kushtetuese, duke u konsultuar edhe me ligjin themeltar të shtetit, vendosi të rrëzojë ligjin mbi të cilin funksionon ky proces. Mirëpo, pavarësisht se Ministria e Drejtësisë e ka hartuar këtë projektligj, miratimi i tij është kthyer mision i pamundur për sa kohë opozita do të vazhdojë me bojkotin e saj.
2 Dhjetor 2009