E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi Marrëveshja e Lisbonës



Christoph Hasselbach / Filaj-Ballvora, Vilma

Qysh para fillimit të zgjerimit në Lindje, politikanë, udhëheqës europianë kishin filluar të mendonin për një reformë të brendshme të Bashkimit Europian. Kjo sepse proceset vendimmarrëse konsideroheshin si të plogështa, strukturat e BE-së si jo shumë demokratike. Megjithatë, me pranimin e dhjetë anëtarëve të rinj në vitin 2004 u konfirmua argumenti se Marrëveshja aktuale e Nisës nuk është e përshtatshme për një Bashkim Europian të madh. Kjo bëri që të mendohet seriozisht për një “marrëveshje, për një kushtetutë të përbashkët në Europë”. Nga njëra anë ajo do të duhej të kufizojë mundësitë e vetos së vendeve anëtare, me çka Bashkimi Europian do të bëhej më funksional dhe nga ana tjetër, të forcojë kompetencat e Parlamentit Europian.
Megjithatë, francezët dhe holandezët e refuzuan marrëveshjen përmes referendumeve popullore në vitin 2005. Pasi që të dyja shtetet bënin pjesë te kombet themeluese të BE-së dhe konsideroheshin si motor të unitetit europian. Çorientimi te qeveritë e vendeve europiane ishte i madh. Pas një pauze të menduari, Këshilli Europian vendosi gjatë presidencës gjermane të BE-së në vitin 2007 që në vend të Kushtetutës të miratojë një “Marrëveshje për reformat". Pasi vendimi për të u mor në fund të vitit 2007 në Lisbonë, ajo quhet "Marrëveshja e Lisbonës". Edhe "Marrëveshja e Lisbonës" dështoi fillimisht në një referendum të organizuar në Irlandë në vitin 2008, ndërkohë që procesi i ratifikimit ishte në vlugun e tij. Kësaj radhe, për një kohë u krijua përshtypja se dështuan përfundimisht të gjitha përpjekjet për reformimin e BE-së. Gjithsesi, qeveria irlandeze, pas disa lëshimeve të bëra nga vendet e tjera anëtare, organizoi edhe një referendum në tetor të vitit 2009. Kësaj radhe shumica e irlandezëve ishin pro marrëveshjes.
Pengesa e fundit dhe më e madhja ishte Çekia. Edhe pse të dyja dhomat e Parlamentit e kishin ratifikuar marrëveshjen dhe Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar atë si të padëmshme, presidenti çek, Vaslav Klaus, ngurronte të hidhte nënshkrimin e tij. Klausi nuk e ka fshehur kurrë se është kundër kësaj marrëveshjeje duke e arsyetuar qëndrimin e tij me humbjen e sovranitetit kombëtar. Klaus “lëshoi pe” përfundimisht më 3 nëntor dhe vetëm pas marrjes së një vendimi të dytë pozitiv nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe lëshimeve politike të 26 vendeve anëtare. Në këtë mënyrë u përmbyll edhe procesi i ratifikimit.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›