E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hapni kutitë”, opozita proteston në Athinë



Protestat e Opozitës me moton “Dua të shoh votën time” nga Tirana zhvendoset në Athinë. Qindra protestues janë vendosur me pankarta përballë selisë se OSBE-së, ku po zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të 56 shteteve. Organizatorët e kësaj proteste janë emigrantë që punojnë në shtetin grek. Në përfundim të protestës, emigrantët u kanë nisur një peticion gjithë ministrave të Jashtëm të OSBE-së ku kanë akuzuar kryeministrin Berisha se ka grabitur votat e 28 qershorit. Në peticion nënvizohet se gjatë historinë e saj 20-vjeçare të tranzicionit, qeveritë shqiptare ka dështuar vazhdimisht për të përmbushur standardet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Sipas këtij peticioni, qeveria vazhdoi të dështojë në përmbushjen e standardeve edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, edhe pse opozita përmbushi rolin dhe angazhimet e saj për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën elektorale dhe procesin zgjedhor. “Shqetësime të rëndësishme janë ngritur nga OSBE/ODIHR-i në raportin vlerësues mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ku nënvizohet se numërimi i votave është bërë keq ose shumë keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Raporti citon përdorimin masiv të pasurive shtetërore dhe përdorimin e çdo shkolle, universiteti, spitali dhe institucioneve të tjera në shërbim të makinës qeveritare zgjedhore. Për t'i bërë gjërat edhe më keq, dhjetëra të dënuar për krime të rënda u liruan në javën e zgjedhjeve. Ata brodhën lirisht dhe arritën të frikësojnë mbështetësit e opozitës. Qeveria mezi arriti të shtrydhë një kryesim prej 1%, duke shkelur ligjin elektoral si dispozitën për rinumërim, duke mos lejuar asnjë rinumërim. Qeveria arriti të frikësojë dhe të nënshtrojë Kolegjin Zgjedhor”, - thuhet në peticion.
Mitingu
Në peticionin dërguar ministrave të Jashtëm të OSBE-së nënvizohet se duke marrë në vlerësim të gjithë këtë situatë, opozita, e vetëdijshme për rëndësinë që kanë standardet e zgjedhjeve, duke njohur rezultatin me të meta ligjore, vendosi që prania e saj në Kuvend të kushtëzohet që nëpërmjet një komisioni parlamentar të bëhet transparenca për të gjitha anomalitë që u vunë re në zgjedhje. Ajo, theksohet në peticion, ka kërkuar publikisht hapjen e kutive të votimit jo me qëllimin e ndryshimit të rezultatit ligjor të zgjedhjeve, por për të hetuar mbi vërtetësinë e numrit të fletëve të votimit, listat e votuesve dhe raportet e komisionerëve. “Në këtë kontekst, siç është raportuar gjerësisht nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare, më 20 nëntor 2009 më shumë se 100 000 mbështetës të opozitës marshuan në Tiranë në një tubim paqësor. Aty u protestua për të drejtën për të kërkuar transparencë zgjedhore, liri të medias dhe një Gjyqësor të pavarur”, - theksohet në peticion. Sipas hartuesve të këtij peticioni, opozita ka dhënë mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, por integrimi real nuk realizohet me mesazhe populiste, siç bën qeveria, por me angazhime konkrete ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kushti bazë. ‘Stabilitetit rajonal’ nuk duhet përdorur si një batanije për të mbuluar të gjitha defektet demokratike”, - nënvizohet në peticion.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›