CEZ-i pret energjinë e ujësjellësave, qeveria çon policinë për ta rilidhur
Tiranë- CEZ shpërndarje, ashtu si edhe kishte paralajmëruar ditët e fundit, u ka ndërprerë mëngjesin e sotëm energjinë elektrike Ujësjellësave debitore ndaj saj, duke stakuar pompat e furnizimit të mijëra qytetarëve me ujë të pijshëm, në disa qytete të vendit.
Mësohet se ditën e sotme janë stakuar pompat e ujit në 4 ujësjellësa që sipas CEZ-it u detyrohen asaj, duke bërë që Fushë-Kruja, Lezha, Memaliaj, Patosi, Përmeti, Fieri, Lushnja, Skrapari, Peqini, Korça, Kucova, Berati, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Kurbini, Vlora dhe Saranda të mos furnizohen me ujë.
Ky vendim i CEZ shpërndarje krijoi një situatë të rëndë pasi ndërprerja e energjisë solli edhe mungesën e ujit duke paralizuar furnizimin në të gjithë qytetin e Laçit, po ashtu edhe në zonën bregdetare të Durrësi. Në qytetin e Lezhës nuk ka probleme me furnizimin me ujë, pasi nuk rezulton debitor ndaj CEZ-it duke e paguar energjinë në masën 60%. Por Kurbini dhe zona bregdetare e Durrësit se kalojnë cakun e 60%-shit të pagesës së energjisë elektrike ndaj CEZ-it.
Në Elbasan kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini duke e cilësuar vepër penale vendimin e CEZ-it tha: ‘Ndodhi ajo që pritej, CEZ-i doli mbi qeverinë’.
Prefekti i Durësit, Genci Alizoti tha se 400 mijë banorë ishin pa ujë dhe bëri apel që energjia të kthehej sa më parë. “Na kanë lajmëruar vetëm përmes televizorit”,-tha ai duke shtuar se 2/3 e qarkut të Durrësit vuajtën deri në drekë mungesën e ujit. Po ashtu stakime të pompave ka pasur në Shijak, Synej dhe Kavajë.
I njëjti problem është shënuar edhe në qytetin e Sarandës, ku uji mungoi që prej orës 09:00 të së premtes e sipas banorëve ka ardhur pa një njoftim paraprak. Në Sarandë policia shoqëruar punonjës të CEZ-it, mes tyre edhe drejtorin e mirëmbajtjes së rrjetit teksa më pas është punuar për rikthimin e energjisë.
Në Vlorë policia nisi një aksion duke kthyer energjinë në të gjithë ujësjellësat teksa tha se nuk do të lejojë ndërprejen abuzive pasi do t’i çojë në ndjekje penale.
Incidente janë shënuar edhe në Fier ku banorët e disa fshtrave sulmuan nënstacionin duke rikthyer me forcë energjinë elektrike rreth drekës. Drejtori i Ujejëllës sha, Salarion Totaj tha se dëmi i shkaktuar nga ndërprerja e menjehershme dhe paparalajmërim e energjisë elektrike në stacionet e pompave është i madh e se do të ngrihet një komision për të verifikuar situatën. Krerët e ujësjellësve në vend kanë paditur CEZ-in për këto masa.
Ndërkohë Enti Rregullator i Energjisë pohoi sot stakimin në 4 ujësjellësa të vendit. Drejtori juridik i ERE-s, Eduart Elezi tha se nuk mund të ndërhyjnë në vendimet e CEZ-it duke apeluar për pagimin e energjisë nga debitorët e CEZ-it.
Dje Ambasada Amerikane në Tiranë, në një njoftim të orëve të fundit, ka tërhequr vëmendjen e qyetarëve amerikane që jetojnë e punojnë në Shqipëri se vendi mund të përballet shpejt me krizën dhe mungesën e energjisë elektrike dhe atë të ujit të pijshëm.
Sipas ambasadës, kjo situatë mund të shkaktojë trazira sociale dhe për këtë ajo paralajmëron shtetasit amerikanë të kene kujdes. Teksa mori pjesë në Panairin e Librit në kryeqytet zoti ambasador tha se njoftime të tilla janë standarte dhe ndodhin sa herë shfaqet një situatë apo diçka e pazakontë.
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: