Dita e pushimit shtyn paraqitjen e Rezart Taçit në Prokurori
TIRANE – Dita e pushimit zyrtar është bërë shkak dje për shtyrjen e paraqitjes së biznesmenit Rezart Taçi në Prokurorinë e kryeqytetit, sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit për masën e sigurisë ndaj tij. Biznesmeni i cili është lënë i lirë nga Gjykata e Shkallës së Dytë me vendim të datës 19 nëntor 2009, ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo masë sigurimi parashikon se i pandehuri duhet të paraqitet në prokurori një herë në javë, konkretisht ditën e hënë në ora 14:30. Ditën e djeshme, kur plotësohej afati i paraqitjes, biznesmeni nuk është paraqitur në prokurori, për shkak të ditës së pushimit zyrtar. Burime të prokurorisë, thonë se sipas një kontakti mes palëve, është vendosur që biznesmeni të paraqitet në policinë gjyqësore ditën e mërkurë, e para ditë pune zyrtare për këtë javë. Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë më 4 dhjetor pritet të zhvillohet seanca për ankimimin e bërë nga Irgen Selfo, kundër masës së arrestit me burg lënë në fuqi ndaj tij nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Kjo e fundit ndryshoi masën e sigurisë për Bledar Lilon dhe Rezart Taçin, ndërsa la në fuqi “arrestin me burg” për Irgen Selfon. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve, rezultoi se ai ka qenë personi që ka ushtruar dhunë direkt mbi gazetarin Mero Baze. Pas këtyre deklarimeve që renduan pozitën e tij, Irgen Selfo është lënë në masën e sigurisë arrest me burg. Prokuroria e kryeqytetit ndërkohë, tha dje se po vazhdon hetimin e ngjarjes në të cilën tre personat akuzohen për goditje për shkak të detyrës ndaj gazetarit Mero Baze. Biznesmeni Rezart Taçi e ka mohuar akuzën publikisht, por edhe gjatë deklarimeve procedurale të dhëna para hetuesve dhe gjykatës. Ai ka thënë se nuk kishte ushtruar dhunë porse kishte hyrë për të ndarë dy punonjës të kompanisë së tij, duke qenë se është ndodhur në të njëjtin lokal me ta edhe pse në një tavolinë tjetër. Biznesmeni u paraqit vullnetarisht në policinë e Tiranës menjëherë pasi Gjykata e kryeqytetit vendosi masën e sigurisë. tr.so