E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkencat sociale në Shqipëri dhe libri i Clayer

Falma Fshazi 

Përkthimi i librit të Nathalie Clayer në shqip përbën një impuls të ri shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave sociale në Shqipëri. Libri ka në fokusin e tij nacionalizmin shqiptar; momentet e formimit dhe mënyrës së mobilizimit të faktorëve të ndryshëm rreth shqiptarizmës me apo pa qëllimin final rikrijimin e një shteti shqiptar. Jo të pakta janë punimet e artikujt mbi nacionalizmin shqiptar. Studiues të huaj dhe shqiptar jo pak herë i janë kthyer këtij nacionalizmi, i cili në fundin e shekullit të 20-të u duk sikur mund të hapte përsëri kutinë e Pandorës në Ballkan.  Megjithë studimet e shumta pak herë shqiptarizma është marrë nën një fokus të zgjeruar në fillimet e saj dhe është analizuar me kaq pasuri nën një gamë të gjerë faktorësh, ndikimesh e kundërndikimesh, rrymash, elementesh, besimesh e interesash. Nëse një ideologji vendoset në këtë spektër, i cili përfshin sa një punë të madhe kërkuese, sa një hulumtim të thelluar të materialeve aq dhe një veprimtari të  pashembullt analizuese do të thotë që ai është vendosur në laborator të shkencës sociale. Aq më tepër që nëse studiuesi ka arritur të krijojë një distancë me objektin e studimit sa ta shohë atë në tërësi tij atëherë standardet shkencore bashkëkohore e ndërkombëtare janë të arritura. Në këtë kuptim nacionalizmi shqiptar ndoshta për herë të parë është futur në laboratorin e shkencave sociale. Me librin e saj “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, Nathalie Clayer i hap perspektiva shumë të rëndësishme shkencave sociale në Shqipëri. Më të rëndësishmet ndër to mendoj se janë: periudha e fokusimit, mënyra e analizimit dhe stili i shkrimit. Për të arritur të kuptojë fillesat e nacionalizmit shqiptar Clayer ka përdorur përveçse një gamë shumë të gjerë materialesh duke filluar nga Biblioteka Kombëtare shqiptare e duke vazhduar me arkivat në Vjenë, Stamboll, Paris, arkivat italiane etj. Shtypi i periudhës nën studim përbën një element të rëndësishëm të burimeve, ndërsa nuk lihet në asnjë mënyrë pa u vënë re deri në detaje jeta e personazheve që përmenden. Duket se çdo gjë në lidhje me periudhën ka një kuptim, por është gjithmonë në kontekstin dhe hapësirën e duhur. Aktorët janë vendosur në një ambient dinamik ku efektet, kundërefektet, interesat, idetë, besimet, institucionet, organizmat lëvizin gati krejt në ambientin e tyre natyral.
Pra, lupa që i vendoset personave, mendimeve, ngjarjeve, institucioneve, organizmave, grupimeve sheh çdo nuancë të mundshme që mund të ketë pasur në realitetin e saj periudha. Fokusi ka tekst, kontekst, hapësirë, dinamikë, fluiditet dhe mbi të gjitha nuk ka një paraqëllim. Lupa nuk vendoset për të parë diçka të paramenduar, por për të parë çfarë ndodh. Në fakt, shpesh herë dhe veçanërisht nga studiues shqiptarë kur vendoset lupa shkencore mbi faktet, personazhet e ngjarjet në lidhje me nacionalizmin ndihet prania e një lloj ‘parabindjeje’ se nacionalizmi shqiptar ka një veçori që e ndryshon për “mirë” nga të tjerët, ka një madhështi në vetvete ose të paktën ka figura të ndritura. Aktorët që hasen gjatë punës shkencore pavarësisht nga sa janë të lavdëruar në librat e historisë zyrtare nuk janë detyrimisht të ndritur ose jo, nacionalistë apo tradhtarë, patriotë ose bashkëpunëtorë. Distanca që duhet të ketë shkencëtari me atë që studion përbën tashmë standardin themelor të një punimi të mirëfilltë shkencor. Nga ana tjetër, mendimi se ajo që studiohet nuk ka vetëm një ngjyrë a një nivel, po ka një dinamik të tërë përbrenda është bërë postulati i shkencës sociale bashkëkohore. Kjo mënyrë komplekse studimi e mendimi duket sikur nuk ka bërë akoma traditën e vet në ‘shkollën shqiptare të shkencave sociale’. Në fakt studentëve në shumicë dërrmuese të rasteve u mësohen fakte, teori, ngjarje, por jo linja analitike koherente bashkëkohore të mendimit që analizojnë në mënyrë produktive këto fakte, ngjarje a personazhe. ‘Shkolla shqiptare’ ka krijuar imazhin e institucionit arsimor që jep  fakte me thasë, por ku mungon mendimi. Ne themel ajo ende vazhdon të jetë më shumë faktografi. Në fakt ndodh e kundërta kudo në botë, ku tradita akademike është tradita e mendimit, e mënyrës së analizës dhe jo tradita e mësimit të fakteve.
Mënyra sesi reflektohet analiza në librin e Clayer, pra stili i shkrimit përbën një risi më vete. Nëse vërejmë me kujdes prodhimin e mirëfilltë të ‘shkollës shqiptare’, sa në vite aq dhe tani, shohim se citimi dhe përmendja e emrave të ‘mëdhenj’ zë një vend mjaft të rëndësishëm. Fjalët e fjalitë kanë një ngarkesë më tepër ‘letrare’ sesa kuptim shkencor dhe nuk janë në gjendje të provokojnë tek dëgjuesi një analizë më të thellë. Citimet si pjesë e asaj tradite që mëson fakte pa mësuar mendimin rrinë në ajër dhe vetëm sa zbukurojnë “letërsinë” e folësit pa pasur asnjë lidhje me një analize koherente e cila shpesh herë mungon.  Dhe, ç’është më e keqja as nuk kërkohet, sepse jemi mësuar të mos gërmojmë pas fjalës e fjalisë. Në fakt kur flitet me fjalë më të thjeshta, siç është gjuha që përdor në libër Nathalie Clayer, ku nuk përmenden dhjetëra emra ‘të mëdhenj”, të cilët janë vetëm në funksion i asaj “që unë di shumë”, na duket sikur nuk po thuhet fort gjë. Veshi jonë është mësuar me fjali “shkencore” që janë të mbushura me “letërsi” e kanë fare pak shkencë brenda.
Ka shumë vend për të bërë kuvend me librin e Clayer, sepse shtjellon nacionalizmin, një realitet i mbushur me dinamika dhe një fushë e shkencave sociale e punuar gjerë e gjatë. Megjithatë, libri përveçse mbi nacionalizmin duhet të hapë një diskutim të gjerë mbi shkencat sociale në Shqipëri, mbi ‘shkollën shqiptare’, mbi mënyrën e mendimit në akademinë shqiptare historikisht dhe veçanërisht sot. Sa dhe si ndahet shkrimi shkencor në Shqipëri nga ai letrar dhe gazetaresk? Sa mësohet mendimi në shkollat tona  dhe sa ato janë kurse faktesh e citimesh që nuk vendosen në një analizë me elemente të vërtetë shkencorë koherentë e bashkëkohorë? Cilat janë standardet shkencore në Shqipëri dhe ku janë ato në lidhje me standardet e botërore? Cilat janë dozat e subjektivitetit në shkencë dhe si mposhtet ai?
Pas këtyre pyetjeve mbi  mendimin shkencor në Shqipëri libri i Nathalie Clayer shume mirë mund të hapë disa debate konceptuale. Nathalie Clayer përdor konceptin “taraf” për të shpjeguar një sociologji të lidhjeve në shoqërinë shqiptare. Çfarë është “tarafi”? Si funksiononte në periudhën e analizuar në libër? Si funksionoi e u transformua më vonë e deri tani? Çfarë na shpjegon e thotë “tarafi” mbi sociologjinë e historinë e shoqërisë shqiptare?  Nathalie Clayer përdor tre koncepte kryesore në shpjegim e lidhjeve në shoqërinë shqiptare taraf, familje, parti. Sa dhe si na vlejnë këto koncepte që mund të vijnë e të zënë një vend  themelor në shpjegimin e shoqërisë shqiptare? Përdorimi i këtyre koncepteve përfshin elementin sociologjik në analizën historike. Në fakt vepra e Nathalie Clayer, megjithëse në fushën e historisë ngërthen në vetvete elemente të sociologjisë e shkencës politike. Eshtë një diskutim shumë frytdhënës dhe i rëndësishëm ai mbi interdisiplinarizmin e punimeve. Si mund te përdoret interdisiplinarizmi? Çfarë na ofron ai? Sa i përhapur është ai në punimet shkencore në akademinë shqiptare? Dhe jo vetëm këto, një sërë diskutimesh të tjera shumë themelore duhet të hapen me impulsin qe jep punimi i Clayer. Si dhe a duhet të rindërtojmë biografinë e figurave të ndryshme në historinë shqiptare? Si janë të shprehura ngjyrimet, diferencat lokale në ligjërimin nacionalist dhe në zhvillimin e tij? Historia e këtyre diferencave vazhdon. Si janë transformuar dhe si reflektohen sot ato? Nëse nacionalizmi shqiptar nuk njeh kulmin e tij te Lidhja e Prizrenit, cila është koha që ndikon më tepër në zhvillimin e tij? A ka nevojë për një moment të tillë? A kulminon në 1912 nacionalizmi shqiptar? Faktori i jashtëm, si u integruan në ekuacionin lokal? Si mund të shprehet një ekuacion i tërë aktorësh, lëvizjesh, mendimesh, idesh, njerëzish, shtetesh, institucionesh, organizatash e organizmash në një punim shkencor? A studiohet historiografia si lëndë e veçantë shkencore që ka në thelbin e  vet shkrimin e historisë dhe lidhjen e saj me shumë shkenca të tjera në fakultet e ndryshme të shkencave shoqërore shqiptare? A dinë të mendojnë dhe jo vetëm të citojnë të diplomuarit dhe shumë pedagogë të tyre në fushat e mikro-historisë, makro–historisë, historisë intelektuale, historisë kulturore, socio-historisë etj., etj.
Në ndryshim me disa opinione që kam dëgjuar mendoj se libri Nathalie Clayer nuk është dekonstruktues. Ai është konstruktues i një mendimi shkencor, ndoshta i pari tashmë i përkthyer në shqip mbi nacionalizmin shqiptar në tërësinë dhe fillimet e tij. Analiza shkencore ka të natyrshëm dekonstruktimin, zbërthimin e të tërave në elemente. Megjithatë nëse këto elemente rrinë ashtu thjesht të zbërthyera ato me shumë mundësi nuk përfaqësojnë një analizë të plotë. Ndërsa zbërthen, analiza shkencore me ose pa vetëdije ndërton një lloj mendimi, mënyre të menduari, analize, diskursi shkencor. Ky ndërtim nuk është detyrimisht ndërtim i një ligjërimi ideologjik apo subjektiv, pavarësisht se çdo punë humane ka brenda subjektivitetin e vet. Në rastin e këtij libri, ndërtimi subjektiv është i ndrydhur në limitet e pranueshëm. Në këtë kuptim, Nathalie Clayer na përcjell jo vetëm nacionalizmin, analizën, procesin, dinamikën, ndërthurjet, historinë, sociologjinë, ideologjinë dhe politikën në aplikimin  e tyre si shkenca të mirëfillta, por mbi të gjitha, e para së gjithash, na tregon si të mendojmë, pra na mëson akademinë... Ky mësim, zbërthim dhe ndërtim është shumë frytshëm për të ardhmen e ‘shkollës shqiptare’, nëse duam të ketë një të tillë.
Duhet ta pranojmë se punimet e studiuesve të huaj dhe të atyre shqiptarë, të cilët kanë ditur të adoptojnë linjat e mendimit dhe mënyrën e punës së shkollave bashkëkohore të shkencave sociale kanë filluar t’i japin një impuls studimeve të këtij lloji në Shqipëri.  Në këtë linjë është kontributi i revistës “Përpjekja”, që është edhe botuese e librit “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”. Revista, e botuar nën drejtimin e Fatos Lubonjës, me redaktorë Artan Puto dhe Eldon Gjikaj, ka kohë tashmë që reflekton një mendim bashkëkohor, të zhvilluar të shkencave sociale. Ajo përbën një shembull konkret e mjaft të mirë të një forumi të shkencave sociale të mendimit (kryesisht) shqiptar dhe mbi Shqipërinë. Në fakt kontributi i “Përpjekjes” në sjelljen e librit të Nathalie Clayer në shqip dhe botimit të tij janë në vazhdën e një pune të gjatë të këtij grupi intelektualësh për ta kthyer analizën mëndjehapur në një traditë të mendimit shkencor shqiptar. Ka ardhur koha të hapet debati dhe këto impulse të kthehen në një hap real drejt një pune të vërtetë shkencore nëpërmjet së cilës do të lindë e formësohet ‘shkolla shqiptare,’ një traditë mendimi shqiptar.  Deri tani kemi të bëjmë me kontribute individuale  jo të pakta dhe shumë të rëndësishme, por që akoma nuk kanë  të zënë një vend qendror në mendimin akademik ose nuk kanë formuar një rrjet që të mund të përfaqësojë një traditë mendimi shqiptar. Sot e gjithë ditën akademia shqiptare e të gjitha niveleve, private apo publike, është reflektimi i `fakt –rreshtimit`jo i mendimit. Një e metë e cila sa më shumë ta evitojmë pa u përballur me të do të na kthehet në një traditë shekullore. Nuk është fyerje të pranosh të metat, të reflektosh e të mësosh. Keq është të kesh një akademi, një shkollë që-pavarësisht nga ç’pretendohet apo reklamohet- merret për bazë pakkund ose askund. Fatkeqësi është të nxjerrësh studentë bilbila të datave e autorëve, por humbës në mendim. Kemi një shans, punime si të Nathalie Clayer na japin mundësinë të ndërtojmë shkollën e mendimit jo të tregimit, nëse e humbim këtë shans mund të jetë shumë vonë....

* Falma Fshazi ka mbaruar studimet për shkenca politike dhe histori në Universitetin e Stambollit dhe atë të Bosforit në Turqi. Aktualisht është doktorante në Shkollën e Studimeve të Larta në Shkencat Sociale në Paris.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›