Gjyqtarët: Pavarësia, pastaj statusi
Fatos Mahmutaj
“Gjyqësori shqiptar ka të domosdoshme rritjen e pavarësisë së tij, e cila duhet të jetë në raport të drejtë me reduktimin e imunitetit për togat e zeza”. Manjola Bejleri, kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve Shqiptarë pohoi dje se, organizata e drejtuar prej saj ka prioritet pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa statusi i togave të zeza, sipas saj do të ishte një hap i mëvonshëm. Gjykatësja Bejleri, tha se Shoqata Kombëtare kërkon me domosdoshmëri arritjen e pavarësisë së plotë për pushtetin gjyqësor si problemi më i rëndësishëm aktual. Duke komentuar nismën e shoqatës tjetër të togave të zeza, Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, e cila ka përgatitur një draft për statusin e gjyqtarit, Bejleri e vlerësoi këtë nismë, duke pohuar se SHKGJ aktualisht ishte e angazhuar me nismat që kanë të bëjnë me arritjen e pavarësisë së gjyqësorit. “Pavarësia e gjyqësorit duhet t’i paraprijë reduktimit të imunitetit për gjyqtarët, ndërsa e gjithë kjo duhet të ecë paralelisht me krijimin e statusit për togat e zeza”, tha dje gjykatësja Bejleri. Sipas saj ligji aktual për gjyqësorin ka mjaft mangësi dhe si i tillë ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime të mëtejshme, të cilat ndoshta do të rregullohen në një të ardhme të përafërt. “Ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me rritjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor duhet që detyrimisht të jenë të pasqyruara në ligjin për gjyqësorin në mënyrë që të bëhen të aplikueshme”, pohoi Bejleri duke shtuar se ky ligj ka nevojë për elementë të tjerë që duhet të futen në bazën që normon gjyqësorin. Sipas Bejlerit këtu bëhet fjalë për mjaft përfitime, të cilat duhet të aplikohen për gjyqtarët referuar ligjeve dhe praktikës së vendeve të zhvilluara, por që fatmirësisht togat e zeza shqiptare nuk i kanë marrë ato. Më tej Bejleri, duke theksuar se SHKGJ ishte fokusuar në arritjen e pavarësisë së gjyqësorit, si problemi më i rëndësishëm aktual, ndërsa lehtësitë e tjera për togat e zeza do të vinin në mënyrë të vullnetshme pas kësaj. Duke përfunduar Bejleri pohoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor ishte koncepti bazë, i cili nënkupton në vetvete edhe statusin e gjyqtarit dhe beneficet e tjera për togat e zeza, të cilat deri më tani u kanë munguar gjykatësve shqiptarë. Rreth një muaj më parë shoqata tjetër e togave të zeza, Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë publikoi projektin paraprak për Statusin e Gjyqtarit. Ideatorët e këtij drafti pohuan se kishin marrë përvojë nga vendet e zhvilluara duke studiuar, përkthyer dhe përshtatur statuset e gjyqtarëve që funksiononin në këto vende. Sipas tyre, së afërmi pritet që drafti për statusin e gjyqtarit të futet në rrugën klasike të të bërit ligj, duke përmbledhur në këtë mënyrë në vetvete edhe imunitetin e gjyqtarëve, si dhe duke rregulluar mangësitë dhe problemet që aktualisht ka ligji për gjyqësorin i miratuar vitin e kaluar.