E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ prezanton planet për OSSH: Do te ulim humbjet

Drejtuesit e kompanisë çeke CEZ, pronarit të ri të OSSH-së kanë prezantuar planet e tyre pas privatizimit. Ata kanë shpjeguar se do të investojnë në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, me qëllim uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. 

TIRANE- Niveli i lartë i humbjeve dhe arkëtimet janë dy nga problemet më të mëdha me të cilat do të përballet pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompania çeke CEZ. Drejtuesit e saj kanë prezantuar planet për të ardhmen e sektorit të shpërndarjes së energjisë në vendin tonë, i cili do t’i nënshtrohet investimeve të konsiderueshme, në përpjekje për të përmirësuar dy treguesit e mësipërm.

“Do të përpiqemi që të humbim nivelin e humbjeve teknike dhe jo teknike. Do të punojmë në bashkëpunim me punëtorët tanë dhe konsumatorët. Do të hartojmë një program për uljen e humbjeve, duke sjellë edhe eksperiencën tonë në vendet e tjera. Situatat do të analizohet edhe për sa i përket arkëtimeve. Ka disa mënyra për rritjen e arkëtimeve që kanë të bëjnë me çështje teknike dhe me organizimin e brendshëm të OSSH-së. Planet më të detajuara do ti bëjmë publike në shtator ose tetor”- u shpreh Tomas Pleskac, përfaqësues i CEZ

Drejtuesit e kompanisë CEZ kanë bërë të ditur se deri tani nuk kanë një plan për shkurtimin e numrit të punonjësve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, por sipas tyre, gjithçka do të vendoset në konsultim edhe me sindikatat.

“Ne do të analizojmë situatën dhe gjendjen e kompanisë gjatë muajve në vazhdim. Rezultatet e kësaj analize do tjua bëjmë të ditur punojnësve dhe më pas do të diskutojmë me sindikatat”- tha Pleskac.

Drejtuesit e kompanisë çeke CEZ kanë bërë të ditur se do të aplikojnë pranë Entit Rregullator të Energjisë për tarifat e reja për vitin e ardhshëm. Ata janë shprehur se do t’i paraqesin ERE-s argumentat e tyre për rritjen e çmimit dhe më pas i takon këtij institucioni që të vendosë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›