“CHIC” nga Fjodora Fjora starton sot në Vizion Plus
“CHIC” titullohet formati më i ri informativ e kulturor, i cili do të startojë sot për herë të parë në ekranin e Televizionit Vizion Plus, me gazetaren Fjodora Fjora. Bëhet fjalë për një program që synon t’i drejtohet një grupi teleshikuesish të pasionuar pas artit, të interesuarve direkt në ngjarjet kulturore shqiptare, por edhe informativ për të gjithë profesionistët e amatorët e kulturës. Ky show do të përpiqet të ndërthurë forma të ndryshme të artit, përfshirë artet vizuale, muzikë, arkitekturë, dizajn, literaturë dhe modë. Realizuar dhe drejtuar nga Fjodora Fjora, “CHIC” do të jetë një format televiziv i fokusuar kryesisht mbi histori personale, performanca dhe opinione që janë të lidhura me fushat kryesore të artit si muzika, kinemaja, teatri, botimet e reja etj. Intervista kryesore do të jetë rubrika e parë e emisionit, me një kohëzgjatje 10 minuta. Personazhi kryesor, i cili mund të jetë artist ose personazh i njohur i sferave të ndryshme kulturore, do të jetë i ftuar në studio, duke u bërë pjesë e një interviste, e cila ka të bëjë me karrierën e tij, impenjimet më të fundit artistike, fragmente nga performancat e tij dhe detaje intime nga jeta private. Gjithçka do të shoqërohet me inserte që kanë në fokus momentet e punës së personazhit, duke i dhënë bisedës një natyrë edhe më interesante. Në pjesën e dytë të intervistës personazhi në fjalë do t’u përgjigjet pyetjeve që publiku do t’i drejtojë, duke siguruar në këtë mënyrë një pjesëmarrje aktive të të gjithë atyre që e ndjekin. Pjesa e dytë, me një kohëzgjatje 10 minuta, do të ketë në qendër dy personalitete të ndryshme, të ftuar në studio ose jashtë saj, për të komentuar në formë kritike artistike një ngjarje kulturore, premierë, opera, teatër, kinema, ekspozitë, libër, modë etj. Ky këndvështrim, i cili do të ketë natyrë kritike artistike, do të synojë të ngrejë një debat, ilustruar edhe me intervista të shkurtra të vetë publikut që ka ndjekur nga afër aktivitetin në fjalë. Kjo rubrikë do të synojë që përmes një forme të tillë vlerësimi, të përçojë te publiku ato ngjarje artistike, të cilat mbartin vlera dhe që duhen ndjekur. Pjesa e tretë zgjat rreth 5-7 minuta dhe do të jetë një intervistë gossip, me personazhin më të përfolur të javës nëpër kronikat rozë, apo suplementet VIP. Intervista do të xhirohet jashtë studios, në vende të ndryshme, në mënyrë që publiku ta ndjekë personazhin në jetën e përditshme, me komente mbi jetën e tij private, kuriozitete. Kjo rubrikë do të ketë në mbyllje edhe lajme të shkurtra për personazhe të njohur shqiptarë e të huaj, nga showbiz. Dhe në fund, rubrika përmbyllëse e këtij emisioni do të jetë ajo e tendencës, e cila synon të prezantojë tendencat më të fundit jo vetëm në kryeqytetin shqiptar, por edhe më gjerë, ku do të përfshihen restorante me kuzhinë të veçantë, modë, turizëm, arkitekturë, interior-design etj. Brenda kësaj rubrike do të kenë hapësirë edhe agjenci të ndryshme turistike, studio, dyqane veshjesh, stilistë, restorante, kompani kozmetike etj.
Siç do të shprehej vetë Fjodora, “Qëllimi i emisionit është t’i japim publikut një mënyrë të re për të përjetuar artin dhe kulturën, duke kërkuar dhe prezantuar bashkëkohoren në mënyrë argëtuese me një këndvështrim krejtësisht origjinal në kulturë, art dhe literaturë”.
2 Nentor 2008