Te Vllaznia ka një garë, Sinani-Dhembi
Me nga një gol në çdo pjesë loje, Vllaznia bëri autokritikën më të mirë përpara publikut të saj, duke mposhtur 2-0 në “Loro Boriçi” Elbasanin, në ndeshjen e 125-të historike midis tyre. Rigjetja e tri pikëve pas tre ndeshjeve pa fitore mban firmat e 3-herë golashënuesit më të mirë të Shqipërisë, Vioresin Sinanit (15’) dhe ish-lojtarit të Partizanit, Paulin Dhëmbi (55’).
Te formacioni kuqeblu i trajnerit Agim Canaj (4 fitore në 9 ndeshje), duket sa ka një garë brenda familjes, pasi si shkodrani Sinani, ashtu dhe korçari Dhembi, kanë realizuar nga 5 gola secili dhe së bashku 10 nga 11 golat e shënuar nga Vllaznia. Humbja me Vllazninë e vendosi Elbasanin mbi një “peshore farmaceutike”, pasi në 9 javët e deritanishme skuadra e Mirel Josës ka një ekuilibër absolut: 3 fitore, 3 barazime e 3 humbje, por dhe 5 gola të shënuar e 5 të pësuar. Ndërkohë që presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, u shpreh i kënaqur pas ndeshjes për fitoren e trajnerit Canaj , i cili rifitoi besimin, ai Elbasanit, Arben Laze, i cili e “shijoi” humbjen “live”, i duhet të mendohet jo pak për të vendosur në lidhje me të ardhmen e Mirel Josës, gjithmonë e më i kritikuar. Përsa u përket statistikave, Vllaznia doli për herë të pestë këtë sezon e pamundur në shtëpi. Nëntë herë kampionët e Shqipërisë regjistruan fitoren e 63-të historike në 125 përballje me Elbasanin, të 136-n nga fillimi i këtij shekulli dhe të 765-n në total në 1615 ndeshje historike në 70 kampionatet kombëtare të futbollit ku ka marrë pjesë nga viti 1930 klubi më i vjetër në Shqipëri.
Kujdes nga Dedja! Të merr pikët
Ndonëse e mbajti ekipin për gati një javë në një “regjim kazerme” e “heshtje shtypi”, Flamurtari nuk ia doli të marrë tri pikët e programuar me Bylisin, duke barazuar pa gola në ndeshjen e 100-të jubilare të ekipit ballshiot nga fillimi i vitit 2000. Pozitat e Slavko Kovaçiçit janë tërësisht të rrezikuara, dhe ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç, mund të shndërrohet në teknikun e pestë të shkarkuar në këtë fillimsezoni dhe të parin nga tre kroatët që largohet nga Shqipëria. Ky ishte dhe barazimi i katërt midis dy ekipeve, që kanë koleksionuar nga 5 fitore secila në 14 përballje në total. Pika e marrë në Vlorë nga trajneri i Bylisit, Hysen Dedja, ishte dyta në transfertë dhe e gjashta e grumbulluar nga ish-kampioni i Vllaznisë në këto pesë javë që drejton Bylisin, duke dëshmuar se me një njeri serioz e punëtor ekipet e vogla mund të bëjnë gjëra të mëdha, aq më tepër kur ballshiotët kanë ndalur edhe Tiranën (0-0). Bylisi u ngjit në kuotën e 9 pikëve, tashmë 4 më shumë se Partizani i vendit të fundit, kur deri para dy javëve ishte skuadra e kuqe ajo që linte pas ballshiotët. Gjithsesi, Flamurtari e ruan vendin e 8-të me 10 pikë, por qetësia tashmë është një fjalë e “huaj” në kampin kuqezi.
Poçi, biri që vret “nënën”
Artion Poçi u shndërrua në një “killer” ndaj klubit që e rriti, Apolonisë, kur mesfushori i Dinamos, me një goditje spektakolare
realizoi golin e dytë në fitoren 2-0 të kampionëve në fuqi në një “Loni Papuçiu” pa tifozë. Dinamo duket se tashmë është tërësisht mbi “shinat taktike” të vendosura nga trajneri kroat, Zlatko Daliç, duke siguruar fitoren e dytë në transfertë dhe të katërtën në nëntë javë. Sulmuesi Fatjon Sefa e shleu besimin e trajnerit në të parën ndeshje si titullar, duke shënuar golin e parë të bluve në minutën e 14-të dhe të parin e tij sezonal. Edhe pse pa tifozë në Fier, sherri në “Loni Papuçiu” nuk mund të mungonte. Në minutën e 28-të (kur rezultati ishte 0-1 për Dinamon), pati një konfrontim midis kapitenit Pisha të Dinamos brazilianit të Apolonisë, Zhunior, por edhe midis një pjesëtari të stafit fierak me gjyqtarët. Apolonia e mbylli takimin me 9 lojtarë. Në minutën e 50-të, Artion Poçi vulosi fitoren e tretë me diferencë dy gola të Dinamos, pas atyre me Shkumbinin (3-1) e Partizanin (2-0). Për Apoloninë, që nuk fiton prej katër javësh, kjo ishte humbja e pestë sezonale e 32-ta ndaj Dinamos në 56 ndeshje historike.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 9
E shtunë, 01.11.2008
Vllaznia-Elbasani 2-0
Partizani-Shkumbini 0-2
Apolonia-Dinamo 0-2
Flamurtari-Bylis 0-0
E diel, 02.11.2008
Lushnja-Teuta (Meta) 14:00
Tirana-Besa (Janku) 17:00
RENDITJA PAS JAVES IX
N PIKË
1 Tirana* 8 18
2 Dinamo 9 16
3 Vllaznia 9 15
4 Shkumbini 9 15
5 Besa* 8 14
6 Elbasani 9 12
7 Teuta* 8 12
8 Flamurtari 9 11
9 Apolonia 9 8
10 Bylis 9 9
11 Lushnja* 8 6
12 Partizani 9 5
* Një ndeshje më pak
2 Nentor 2008