E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresioni, vetëvaret në kasollen e bagëtive 22-vjeçarja



SHKODËR – Një 22-vjeçare është gjetur e vdekur në një fshat të rrethit të Shkodrës dhe dyshohet për një vetëvrasje të kryer në kushtet e depresionit të rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se V. D., 22 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Bardhaj, u gjet dje në mesditë, rreth orës 12:30 në kasollen e bagëtive të banesës së prindërve, e varur në një litar. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili nga hetimet paraprake konstatoi se viktima, e cila banonte në shtëpinë e prindërve te saj, është gjetur nga familjarët e vetëvarur ne kasollen e bagëtive. Gjithsesi, policia tha se po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Dhunoi bashkëshorten, denoncohet në polici

KRUJË – Një tjetër rast dhune në familje është regjistruar në Krujë, ku autori i saj është vënë nën hetim në gjendje të lirë, ndërsa “viktima” është marrë në mbrojtje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se dy ditë më parë shtetasja N. H., 24 vjeçe, banore e rrethit të Krujës, ka bërë kallëzim në polici pasi pretendon se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, shtetasi L. H., 30 vjeç. Burimet policore sqarojnë se lidhur me rastin në fjalë, u kryen veprimet e nevojshme procedurale; u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet iu kaluan për ndjekje pranë Gjykatës së Rrethit Krujë.

Arrestohet shoferi, refuzoi kontrollin e Policisë Rrugore

DURRËS - Një 39-vjeçar në Durrës është i detyruar të përballet me procedim penal në gjendje të lirë pasi akuzohet nga policia vendore se ka fyer një punonjës të qarkullimit për shkak të detyrës. Përparim Fusha, lindur në qytetin e Durrësit dhe banues në Rubjekë të Maminasit, po përshkonte aksin rrugor Durrës - Maminas me furgonin e tij, me targë DR 8319 B, kur iu kërkua nga punonjës të Policisë Rrugore që të ndalonte. Ai ka refuzuar që të bëjë një gjë të tillë dhe më pas është larguar, por policia është vënë në ndjeke, duke e bllokuar dhe shoqëruar në mjediset e komisariatit të Durrësit. I gjendur përballë kësaj situate, qytetari ka debatuar me forcat e policisë rrugore. Këto të fundit thanë se u përballën me fyerje në krye të detyrës.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›