E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihani nuk mjafton për Zorjan



Edhe pse Parid Xhihani shënoi pa kaluar ende 120 sekonda lojë, Zorja e tij nuk mundi t’i rezistojë një emri të madh në kampionatin ukrainas, si Shahktor Donjeckut, duke humbur 3-1 në shtëpinë e kundërshtarit në javën e 13-të të Vysha Ligës. Golat e fitores për Shahktor Donjeckut u shënuan nga Moreno (2) dhe Uiliam (1). Me humbjen e sotme, Zorja e Shahktorin bën rokadë në renditje: Shaktori, 19 pikë; Zorja, 17 pikë. Ky ishte goli i gjashtë sezonal i ish-sulmuesit të Kavajës. Më parë Xhihani kishte shënuar kundër Kharikivit, Krivbasit (të Bylykbashit e Bulkut), Çornomorets (2 gola) dhe Arsenalit të Kiveit. 25-vjeçari Xhihani është golashënuesi më i mirë i ekipit të tij pas 13 ndeshjeve.

Lala fiton, Skela e Kapllani humbasin

Lala me shokë bëjnë gjëmën. Hanoveri fitoi 3-0 kundër Hamburgut dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, si rrallëherë në këtë sezon, ka luajtur gjatë gjithë takimit duke u rikthyer në lojën me nivel të lartë. Shulc, Shlaudraf e Shtajner ishin dhe vrasësit e ish-skuadrës së Besart Berishës. Energi Kotbusi i Ervin Skelës humbi 2-0 në shtëpi me gjigantët e Shalke 04. Fantazisti shqiptar luajti gjatë gjithë takimit, por pa mundur të shpëtojë skuadrën e tij nga humbja. Edmond Kapllani e ka shijuar nga bankina humbjen therëse 4-1 të Karlsruhes me surprizën absolute të kampionatit gjerman, Hofenhaimin.

Hidi e Rrustemi marrin pikë

Portieri Isli Hidi e mbrojtësi Blerim Rrustemi i dhuruan një barazim të çmuar në transfertë skuadrës së tyre, Alki Larnaka, në barazimin 1-1 me Atromitos Geroskipu në kampionatin qipriot. Të futbollistët shqiptarë luajtën gjatë gjithë takimit. Sipas portalit qipriot, protathlima.com.cy, ishte një barazim që nuk i kënaqi asnjërin nga dy ekipet, pasi Atromiosit “priste me gojë hapur” fitoren. Diavara shënoi me penallti në minutën e 24-t për ekipin e dy shqiptarëve, ndërsa tre minuta më pas barazoi Haxhis.
Anorthosis Famagastua e Arjan Beqajt fitoi të premten 2-0 kundër Apop Kinirasit. Kosovari ishte në portë. Omonia Nikosia e Klodian Duros do të luajë të dielën kundër Apep-it.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›