Thellohet kriza, Duro: “Skuadra vuan psikologjikisht”
Dash Frashëri
Shpëtim Duro është i vetëdijshëm se ka marrë përsipër të “shpëtojë” një Partizani të sëmurë. “E mora në një moment të vështirë, por unë besoja se do të ndryshoja diçka nga skuadra. Pata besim gjatë gjithë javës, por duke iu referuar takimit (me Shkumbinin), vuajtëm në të gjitha drejtimet, nuk bëmë dy pasime bashkë. Skuadra vuan shumë psikologjikisht dhe ende nuk e ka marrë veten”, - tha trajneri i Partizanit pas ndeshjes.
Debutim i hidhur për Shpëtim Duron në premierën me skuadrën e kuqe përballë Shkumbinit (0-2) në javën e 9-të të Superligës, duke zbehur totalisht atë fitore tenistike 5-1 në Kupën e Shqipërisë me Tepelenën vetëm tri ditë më parë.
Tiranasi Erion Rizvanolli (31’, asist i Norës nga goditja e këndit) dhe gjirokastriti Arlind Nora (52’) i dhuruan fitoren e parë Shkumbinit në transfertë, duke fundosur të kuqtë në vendin fundit, në atë që konsiderohej nga të gjithë si ndeshja e kthesës për 15-herë kampionët, ndaj të cilit skuadra e Gugash Maganit mund të fitonte edhe më thellë, njëlloj sikur të luante në Peqin e jo në “Qemal Stafa”. Sërish Partizani nuk arriti për herë të katërt në shtëpi, duke regjistruar një bilanc të errët me tre humbje e vetëm një pikë të grumbulluar nga 12 të mundshmet. Kjo ishte humbja e gjashtë sezonale dhe e dyta rresht me rezultatin 2-0, duke dëshmuar se Partizani jo vetëm që sulmin më të dobët të kampionatit, por tani është dhe ekipi i dytë që ka pësuar më shumë gola. Tekniku i Shkumbinit, Gugash Magani, bëri të pakënaqurin nga skuadra e tij, edhe pse peqinasit arritën fitoren e parë në transfertë. “Ishim përgatitur për një ndeshje të vështirë ndaj Partizanit. Loja pati dy tablo nga ana jonë, të dobët në pjesën e parë dhe një pjesë të dytë mesatare. Për sot ajo që mjaftoi ishte rezultati”, - tha Magani pas ndeshjes, teksa tani ka grumbulluar 15 pikë në 9 takime, 10 më shumë se Partizani për të njëjtin numër ndeshjesh. Trajneri i Kombëtares, holandezi Ari Han, me siguri do të ketë menduar se të qenit rezultativ me kuqezinjtë, do të thotë të “shikosh” gjithmonë nga legjionarët, teksa dhe mesfushori i Partizanit, Elis Bakaj, i thirrur rregullisht prej tij nuk ofroi asgjë përpara se të zëvendësohej për shkak të një dëmtimi. Golat e pësuar nga Partizani, krejtësisht për faj të lojtarëve të kuq, dhanë një sinjal të qartë se ish-trajneri Hasan Lika, nuk ka qenë edhe shumë i fajshëm në ecurinë më të keqe të Partizanit, nga sezoni 1999-2000, vit edhe kur në Kategorinë Dytë. Të pësosh gola nga goditje standarde është normale në një ndeshje futbolli, por të mos impenjohesh totalisht gjatë gjithë 90 minutave nuk falet kollaj, nëse pretendon se je futbollist i kategorisë maksimale të futbollit mesatar shqiptar. Partizani ndodhet në një krizë rezultatesh, por dhe kohe reflektimi, teksa shumë prej futbollistëve nuk e meritojnë të veshin fanellën e një prej klubeve me të respektuar në Shqipëri.
2 Nentor 2008