E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Knepp”, një dramë për Argjentinën në diktaturë



Në kuadrin e festivalit të Teatrit për të Rinj, në skenën e Teatrit Kombëtar këto ditë do të ngjitet drama “Knepp”, e cila bën fjalë për historinë e një diktature dhe një grusht shteti. Pjesa që i përket autorit George Goldenberg është një dramë argjentinase, e cila vjen në TK me regji të Eglantina Cenoimerit, skenografi të Edlira Qyshkës dhe aktrimin e Rozina Prendit, Saimir Sinës, Vjoleta Banushit, Gjergj Menës dhe Elidon Alikajt.
Autori George Goldenberg e ka ndërtuar këtë dramë pikërisht në periudhën e diktaturës, në kohën e Desaparecidos (të zhdukurit) dhe pasqyron në një formë të tërthortë dhunën e masakrat që kryheshin asokohe, duke krijuar dy personazhe si Knepp, që simbolizon fizionominë e akullt të diktatorëve dhe Maria Elena, e cila personifikon pjesën bashkëvuajtëse popullore. Ajo është e dhunuar psikologjikisht, të shoqin e ka të zhdukur në mënyrë të mistershme nga diktatura. Maria vuan frikën, tmerrin, pamundësinë për të vepruar dhe humbet kështu jetesën brenda një realiteti normal, duke jetuar trysninë e Knepp-it, që nuk ekziston. Por persona si ai kishin thelluar rrënjët kudo dhe ky fakt krijon te Maria Elena një psikozë që e bën atë ta ndërtojë figurën e Knepp-it brenda ambientit ku ajo jeton. Mendohet se në periudhën 1976-1983, në Argjentinë janë zhdukur duke u persekutuar, përndjekur, torturuar, vrarë e masakruar rreth 30 mijë njerëz.
P. GROSI

Adrian Çene sjell para publikut 11 tablo surealiste

Një ekspozitë e veçantë është çelur dje për artdashësin e metropolit shqiptar në galerinë private në kryeqytet, “DidArt”. Është piktori Adrian Çene, i cili vjen me 11 piktura në teknikën vaj mbi kanavacë, të realizuara gjatë vitit 2008 dhe që prezantohen për herë të parë në publik. Në punimet më të fundit të artistit të bie në sy surealizmi, formati i ri që spikat në punët e tij, të realizuara në një gjuhë të thjeshtë platonike dhe të mbajtur në tonet e grisë.

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›