Moti i keq dhe era e fortë sjellin kaos në oraret e trageteve
DURRËS – Mori i keq gjatë ditës së shtunë ka sjellë vonesa në mbërritjen dhe nisjen e trageteve në Portin Detar të Durrësit. Burime nga Kapitaneria e Portit thanë se, deti i trazuar, me forcë deri në 6-7 shkallë dhe era e fortë nga jugperëndimi, me shpejtësi deri në 30 metra në sekondë në zonën detare mes Italisë dhe Shqipërisë, kanë shkaktuar vonesa disaorëshe në mbërritjen e trageteve. Burimet thanë se të tre tragetet që kanë lundruar gjatë natës nga porti i Barit (Itali), drejt Durrësit kanë shënuar vonesa nga 1-3 orë. Trageti "Grecia" është ankoruar dje rreth orës 9:30 minuta. E njëjta gjë ka ndodhur me tragetin "Flaminia", i cili nuk është ankoruar në orarin e përcaktuar. Gjatë paradites së djeshme ka vazhduar puna normalisht për përpunimin e anijeve tregtare.
Burri nuk i njihte fëmijën, e braktis në spital
BURREL – Një foshnje katër muajsh është braktisur nga e ëma pasi babai ka refuzuar që të njohë atësinë e saj. Burimet zyrtare pohojnë se ngjarja ka ndodhur në qytetin e Burrelit, pasi një bebe 4 muajsh u la në dyert e spitalit të këtij qyteti. Sipas burimeve policore, një grua e re, nga fshati Macukull, ka dërguar fëmijën e saj në shtëpinë e bashkëshortit, duke iu shprehur pjesëtarëve të familjes së tij se nuk mund ta mbante foshnjën, pasi djali i tyre ishte shprehur se nuk e njihte foshnjën për të tijën. Nëna e foshnjës kishte disa kohë që banonte te familja e saj në një fshat tjetër të Matit. Martesa e çiftit është bërë pa celebrim dhe prej ditës së martesës nuk është kryer një formalitet i tillë ligjor. Gruaja e re ka jetuar në vendlindje thuajse qëkur është martuar, ndërsa burri i saj në Greqi pasi ishte emigrant. Por pikërisht katër muaj pas ardhjes në jetë të fëmijës, sipas dëshmisë së nënës, bashkëshorti i saj ka kundërshtuar të mbajë foshnjën, duke u shprehur se nuk ishte e tij. Ka qenë kjo arsyeja që nëna e fëmijës e ka dërguar foshnjën në derën e prindërve të të shoqit, deri sa policia e ka dërguar në Spitalin e Burrelit.
2 Nentor 2008