E Shtunë, 31 Tetor 2026

CIA: Rritja ekonomike në Shqipëri 5%

Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, ka vënë në dyshim faktin se ekonomia shqiptare gjatë vitit që lamë pas është rritur me 6 për qind. Në Librin Botëror të Fakteve, CIA, ka vlerësuar se ekonomia shqiptare në 2007 është rritur vetëm me 5 për qind, duke u renditur madje dhe pas Maqedonisë, ekonomia e së cilës, sipas CIA-s u rrit me 5.1 për qind. Libri Botëror i Fakteve përgatitet për llogari dhe përdorim të qeverisë amerikane. Për ndërtimin e tij, CIA përdor informacionet që merr nga institucionet e specializuara. Në pjesën ku flitet për ekonominë, të dhënat janë marrë nga Departamenti Amerikan i Tregtisë dhe Byroja e Censusit, agjencia më e madhe e statistikave në SHBA. Për vitin 2007, lista e vendeve me rritjen më të madhe ekonomike u kryesua nga Afganistani, i cili ka shënuar një rritje ekonomike prej 31 për qindësh. Shqipëria është renditur në vendin e 109 sa i takon rritjes ekonomike. Më sipër Shqipërisë, është renditur Turqia dhe Maqedonia, të cilat kanë shënuar një rritje prej 5.1 për qindësh. Ekonomia shqiptare, sipas CIA-s, është rritur më pak se edhe ajo e Bosnjës, për herë të parë pas shumë vitesh. CIA është institucioni i parë, që vë në dyshim kështu rritjen ekonomike prej 6 për qindësh, e cila nga qeveria konsiderohet si e sigurt. Në fakt, edhe vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për ekonominë shqiptare kanë qenë për një rritje prej 6 për qindësh.

FMN zbehu optimizmin

Por në raportin e tij të fundit mbi parashikimet për ecurinë botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, uli dozat e optimizmit për ekonominë shqiptare, duke reduktuar nivelin e rritjes ekonomike të parashikuar për 5 vitet e ardhshme. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, por edhe vetë qeveria kishin parashikuar se rritja ekonomike në vend do të përshpejtohej duke filluar që nga ky vit. Por FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë do të mbetet e pandryshuar në nivelin 6 për qind për vitin 2008 dhe do të pësojë një rritje të vogël në 6.1 për qind në vitin 2009. Sipas raportit, këto do të jenë shifrat me të cilat do të rritet ekonomia shqiptare përgjatë 5 viteve të ardhshme. Në vitin 2013, FMN vlerëson se rritja ekonomike në vend do të jetë 6.3 për qind.

Përgjithësisht, Shqipëria do të vazhdojë gjatë viteve të ardhshme që të ketë një rritje ekonomike disi më të lartë nga mesatarja e vendeve të rajonit, e cila do të luhatet nga 4.3 në 5.8 për qind.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›