E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza step biznesin

Gjendja e vështirë që po kalon ekonomia, si pasojë e krizës së çmimeve dhe rritjes masive të kostove të prodhimit ka filluar të japë efektet e para te biznesi, i cili po ankohet për një rëndim të klimës. Ky konkluzion është dhënë nga Qendra Kërkimore për Zhvillim, e cila në një vëzhgim të bërë së fundmi në bizneset e industrive përpunuese thotë se në këtë industri vihet re një ulje e shitjeve. Kjo, sipas QKZH-së, ka sjellë një rritje të stokut në magazinat e këtyre bizneseve. "Në muajin janar 2008 rezulton një tendencë rritjeje e gjendjes se stokut të produkteve të gatshme me rreth 18 pikë përqindje, gjë që ka ardhur sigurisht nga një ngadalësim apo rënie e nivelit të shitjeve në sektor", thuhet në raportin e QKZH-së. Bizneset e intervistuara thonë se së fundmi po vënë re një ulje të kërkesës në tregun e brendshëm, për rrjedhojë si pasojë e rënies së fuqisë blerëse. Ky ka qenë dhe faktori kryesor, që ka dhënë influencën më të ndjeshme në përkeqësimin e treguesit të besueshmërisë në këtë sektor. Gjithë kjo situatë, sipas QKZH, është shoqëruar me një rëndim të klimës së këtyre bizneseve.

Treguesi i besueshmërisë

Treguesi i QKZH-së për besueshmërinë apo konfidencialitetin, në sektorin e industrisë përpunuese në muajin janar 2008 shënoi një rënie prej 15 pikësh në krahasim me 3 muaj më parë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2002. QKZH paralajmëron se rënia e treguesit të besueshmërisë për 3 periudha të njëpasnjëshme do të reflektojë pa dyshim në ecurinë e prodhimit dhe të investimeve në këtë sektor. Rënia e treguesit të besueshmërisë në sektorin e industrisë përpunuese ka ardhur kryesisht nga dobësimi i nivelit të kontraktimeve dhe parashikimeve jo optimiste për rritjen e prodhimit në 3-mujorin e ardhshëm.

Biznesi ul kapacitetet

Vlerësimi i shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në muajin janar 2008 shënon nivelin e 68%, nivel i cili është i barabartë me atë të shënuara në janar të vitit 2007. Ky tregues ndonëse është 10 deri 15 për qind më i lartë se në vitin 2003, është sërish mjaft i ulët krahasuar me vendet e tjera evropiane, ku kompanitë e industrisë përpunuese shfrytëzojnë 80 deri në 90 për qind të kapacitetit të tyre prodhues.

Problemet

Faktorët me influencën më negative në këtë sektor vazhdojnë të jenë paqartësitë në legjislacionin financiar, mungesat e energjisë elektrike, tregu informal dhe së fundmi dhe rënia e kërkesës. Legjislacionin fiskal e kanë konsideruar si faktorin pengesë më shumë se 41 për qind e bizneseve të intervistuara. Ndryshimet e shumta dhe reformat fiskale të ndërmarra nga qeveria e kanë çorientuar biznesin. Sipas vëzhgimeve të kryera, numri i bizneseve që e konsiderojnë legjislacionin fiskal, si një problem, është 22 për qind më i lartë se niveli mesatar i viteve 2002-2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›