E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët dhe ekologjia

Të shëtitësh në trotuaret e pista për të shijuar trokitjen e pranverës në Tiranë është një mënyrë e mirë për të provokuar së brendshmi një frymëzim të ri; të meditosh ndërsa shkel nëpër plehra, të synosh një ndjesi romantizmi të munguar ndërsa ndjen në fytyrë shijen alergjike të tymit të zi të makinave; të ecësh, të soditësh, të këqyrësh, konstatosh peizazhin e ndotur të kryeqytetit me shpirtin e rrudhur prej ajrit të keq, të kuptosh e të protestosh vetëm në heshtje ndaj këtij realiteti, të gjitha këto përbëjnë një arsye të fortë zhgënjimi të hidhur, që të ysht të pranosh se ti je pjesë e një komuniteti me instinkte të shuara, të cilit i mungon vetëmbrojtja, edhe kur jeton në rrezik.

Të nxitosh të kalosh kryqëzimet me mushkërinë e tharë prej ndotjes së frikshme, të rrëqethesh prej realitetit të qelbur matanë, larg edhe afër, midis plehrave kryeqytetase që digjen dhe sehirxhinjve viktima, të ndihesh viktimë e pabesisë që sjell mungesa e dëshirave të mira për ambiente normale, higjienë publike dhe pastërti, të gjitha këto përbëjnë gjithashtu dhe dëshminë e zhgënjimit më therës dhe perceptimin më ogurzi të një komuniteti të çoroditur, përmbi të cilin, si një vegim kobzi, shëmbëllen dështimi i qeverisjes.

Vegimi i dështimit të qeverisjes zë fill nëpër rrugët me pluhur dhe plehra që kutërbojnë shpesh gjithandej. Atmosferës së Tiranës i mungon oksigjeni në parametrat e nevojshëm dhe shumëkush e di se vështirë të gjendet një vend i paprekur prej terrorit ekologjik, sa për t‘u mbushur me frymë. Qendra e kryeqytetit ngjan me një peizazh ironie; midis makinave helmuese me shtëllungat e tymit të zi dhe resë depresuese të pluhurit që lënë pas; nënat shëtisin fëmijët e vegjël me karroca të pluhurosura dhe pensionistët e venitur, por edhe të papunët e shtuar e të trishtuar vërdallë, ngjajnë si sehirxhinj dëshmitarë të rrezikuar e të kotë të asgjëje dhe të gjithçkaje.

Në Tiranë, gjithkush është i dënuar të thithë ajrin e tejndotur, por edhe të pijë ujë të rrezikshëm. Përshtypja se në kryeqytet qarkullon ujë i pakët, por i dyshimtë, ndërsa epidemitë e të nxehtit kërcënojnë njëlloj shëndetin publik, në rastin më të mirë i shtyn njerëzit të blejnë ujë të ambalazhuar, që tregtohet në bidonë plastikë nëpër njësitë tregtare apo edhe në trotuare karshi diellit, jashtë çdo sigurie. Por njëlloj, jashtë çdo norme higjiene, jashtë çdo respekti për etikën civile, jashtë çdo perceptimi normal, nëpër ambiente të paimagjinueshme, ku mbretërojnë pluhuri dhe plehrat, tregtohen edhe produktet ushqimore jetike, qumështi, mishi dhe frutat me çmime të çmendura. E rrokur me një të parë, ky është imazhi vizual i kryeqytetit tonë dhe ky është realiteti ynë që përfaqëson në njëfarë mënyre shkallën e civilizimit tonë. Kjo është hapësira e taksuar për të jetuar. Gjithçka funksionon mërzitshëm dhe me një çoroditje totale, që është pasojë e paaftësisë publike për t‘u organizuar dhe vetëmenaxhuar.

Shtëpi e një komuniteti pa koeficiente të larta ndjeshmërie dhe përgjegjshmërie, Tirana duket një qytet i braktisur nga politika e ditës. Tirana të kujton atë burrin e grindur që rruan përditë fytyrën e parfumosur, por morrat i ka në kokë dhe çorapet e palara i kutërbojnë. Si gjithmonë, politikanët e dy krahëve luajnë pingpongun e interesave personale, dhe askush nuk ka marrë përsipër të bëjë konkretisht asgjë dhe asnjëherë për ruajtjen e parametrave të domosdoshme të sigurisë, të higjienës e ambientit. Por jo vetëm kaq. Në përgjithësi, ekologjia e kryeqytetit duket e braktisur edhe nga intelekti, arti, kapitali dhe institucionet e besimit. Fatkeqësisht mungojnë përpjekjet e faktorëve në vend për sensibilizimin e popullatës për një jetë të pastër në ambiente njerëzore, çka do të ndihmonte në rikrijimin e vetëdijes qytetare për sigurimin e jetës dhe respektimin e jetës dhe kjo mungesë është e pafalshme.

Tirana e ndotur është një faj i të gjithëve. Edhe pse klasa politike përfaqësohet nga një cilësi mediokre dhe dëshmi e sigurt e kësaj, veç të tjerash është edhe katastrofa ekologjike e Tiranës, por edhe e gjithë Shqipërisë. Përgjegjësia nuk është vetëm aty, sepse tej politikës ekziston gjithashtu një pasion negativ në pushtetin publik, në fuqinë popullore, kulturën qytetare dhe mentalitetin e njerëzve. Është kjo situatë alergjike, së cilës i mungon kambana e alarmit. Duket sikur askush nuk shqetësohet për asgjë, edhe kur problemet janë të rëndësishme dhe jetike. Duket sikur komunitetit në përgjithësi i mungojnë reflekset e kundërshtisë. Shqiptarët qenkërkan kaq gjakftohtë e tolerantë, sa ndërsa janë dëshmitarë të sigurt të katastrofës ambientaliste që ndodh në jetën e tyre, dhe ndërsa janë gjithashtu kaq koshientë për rrezikun e ardhshëm të shëndetit të tyre dhe fëmijëve, rrinë në pritje, në heshtje, në mosbesim e pasivitet.

Është e çuditshme, por edhe e pafalshme heshtja shqiptare përballë çdo situate të tillë, që në fund të fundit ndëshkon vetë ata. Në Shqipëri plasin shpesh kriza, padrejtësira, pabesira, që i kanë rraskapitur shqiptarët gjithherë, por rrallë këto gjëra shkaktojnë revolta masive të organizuara në publik. Në vend që të ushtrojë pushtetin e tij për rregullimin e gjërave, publiku shqiptar hesht, toleron, ngurron, harron.

Publiku ynë hesht, në vend që të fërshëllejë e shpërfillë komedinë e sarkazmës, siç do duhej të ndodhte. Indiferenca e pafalshme e një shoqërie, së cilës i janë liruar vidat e besimit për ditën tjetër, ndikon drejtpërdrejt në thellimin e krizës së drejtësisë. Ky pasivitet i rrezikshëm sa edhe politika e tranzicionit, ka kohëzuar me mungesën e drejtësisë në një shtet të "së drejtës", që përbën një krizë filozofike serioze, e që nuk interpretohet nga askush. Sociologët nuk ekzistojnë ose heshtin, analistët merren me politikë dhe me politikanët, në vend që t‘i shërbejnë rritjes së kulturës popullore dhe kultivimit të qytetërimit; intelektualët janë të zhgënjyer, shkrimtarët janë rralluar e nuk ndihen. Të gjithë janë shndërruar në copëza pasive, ndaj nuk ka revolta, nuk ka protesta, nuk ka frymë popullore. Dhe e gjithë kjo situatë ka provokuar këtë ambientim të rrezikshëm të shoqërisë, që gjithsesi duhet luftuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›